Politike
Rama: Do të krijojmë Këshillin Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar krijimin e një Këshilli Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe, gjatë episodit të katërt të podcastit të tij “Flasim”.
Rama bëri me dije se puna për ngritjen e këtij Këshilli ka nisur, ndërsa ideja, sipas tij, u propozua gjatë një takimi me një grup prindërish të fëmijëve me aftësi ndryshe.
Kryeministri tha se qeveria synon të hyjë në një fazë të re të marrëdhënieve mes institucioneve, fëmijëve me aftësi ndryshe dhe familjeve të tyre, duke përfshirë më drejtpërdrejt prindërit në proceset vendimmarrëse.
Sipas Ramës, Këshilli i ri do të përbëhet nga përfaqësues të institucioneve, prindërve dhe mësuesve, ndërsa do të shërbejë si një strukturë për udhëzime, orientime dhe sugjerime lidhur me politikat dhe mbështetjen për këtë kategori.
“Qeveria dhe unë personalisht po bëjmë përpjekje për të hyrë në një fazë të re të marrëdhënieve të institucioneve me fëmijët me aftësi ndryshe dhe familjet e tyre, duke angazhuar pikërisht prindërit që janë në pararojë të kësaj përpjekjeje”, u shpreh Rama.
Ai shtoi se synimi është që përmes Këshillit të bëhet më shumë për këtë kategori fëmijësh dhe familjet e tyre.
“Ne duam të bëjmë më të mirën duke krijuar në radhë të parë një Këshill Kombëtar për fëmijët me aftësi ndryshe dhe pastaj duke vijuar më tutje përmes udhëheqjes, orientimeve dhe sugjerimeve të këtij Këshilli, që do të ketë në përbërjen e vet përfaqësues të institucioneve, prindërve dhe mësuesve”, tha kryeministri.