Connect with us

Shkrime

Rama i tërbuar/ Lela: Opozitës i duhet të shtojë në inventarin e mjeteve të protestës edhe kundragazet

Nga Alfred Lela

Me përdorimin e gazit lotsjellës (të skaduar), Rama mund t’i ketë larguar opozitarët më herët nga sheshi para zyrës së tij, por i ka joshur për një demonstrim tjetër, më shpejt edhe se ata vetë e mendonin.

Cinizmi i përdorimit të lëndëve helmuese pa nevojë, çka e bën shpërpjesëtimore dhunën e policisë, nuk duhet parë si provë e forcës, por e dobësisë. Gazi dhe arrestimet, vend e pa vend, nga Policia mbrëmjen e së shtunës, dukej se ishin vazhdim i fjalimit të Edi Ramës në Parlament të enjten, pra një ushtrim tjetër në urrejtje.

Faza e tretë e ciklit të urrejtjes vijoi të dielën me një postim në rrjete, ku Kryeministri quante ‘mercenarë’ dhe ‘rrugaçë’, qytetarët e vendit që drejton.

Ramën e kanë lëshuar nervat, të cilat zakonisht i dallojnë ata që kanë detyra të larta shtetërore, dhe duan të ruajnë formën e gjërave, një protokoll të nevojshëm të kortezisë publike. Një Kryeministër i qetë nuk do të reagonte ashtu në asnjërin prej rasteve.

Gjasat janë, ky shfrim që Rama ushtron, si të ishte një komandant çeçen diku thellë në Kaukaz, ka të bëjë më shumë me vetë Ramën se me opozitën. Rama e ndjen se sistemi që vetë ngriti dhe po vetë e mendonte të përjetshëm, nuk rezulton i tillë. Dy kolona që ai, deri para një viti e andej, i konsideronte si siguresa, prej nga përfitonte ekskluzivisht ai, janë ‘tërhequr’, duke krijuar balanca të reja. Bëhet fjalë për administratën amerikane, e cila ka kaluar, le të themi në neutralitet, dhe SPAK, që ka dëshmuar një prirje të re për të hetuar edhe në oborrin e Kryeministrit.

Protesta e opozitës, e cila ishte si sasiore edhe cilësore, rrezikon t’i heqë Ramës kolonën e tretë, ku varte sigurinë, zgjedhjet e kontrolluara prej tij. Një opozitë kërcënuese, që i bashkohet një komuniteti ndërkombëtar të paktën neutral, dhe një SPAK që ndjek korrupsionin, edhe kur ai është ngjitur apo trupëzohet te Kryeministri, janë më shumë se Rama mund të durojë.

Ai është mësuar në krye të një sistemi pa konkurrencë, dhe për më shumë të siguruar nga ata që e predikojnë dhe e ruajnë garën e hapur (ndërkombëtarët dhe gjykatat). Tani që nuk i ka më këta faktorë në anën e tij, ai kthehet në gjendjen e tij hobsiane (fillestare), ku i duhet të jetë leviatani (përbindëshi) që shkumëzon dhe lufton ‘me të vetat’.

Ai tani po e sheh se opozita nuk ka qenë e dobët për arsye që lidhen me opozitën vetë.

Tërbimi i Ramës lidhet me rishfaqjen e konkurrencës, një tipar të demokracisë që nuk e duron dot. Ai ka jetuar politikisht si i bullizuari që kthehet të bullizojë. Përpjekja e tij për të thënë se nuk është politikan, se është artist, se është mjeshtër në këtë lojë shahu, që e kap pasioni i atij që ngre kurthe në pyll dhe sheh se si kanë rënë në to kafshët, nuk janë më shumë se përpjekja për të mbuluar kompleksin e të bullizuarit të shndërruar në bullizues.

Opozitës i duhet të shtojë në inventarin e mjeteve të protestës edhe kundragazet

Advertisement