Connect with us

Politike

Rama: Investimet në Sazan dhe Zvërnec do të publikohen në seksionin “Pasqyra Flamingo”

Kryeministri Edi Rama njoftoi se brenda disa javësh platformës PasqyrAlbania pritet t’i shtohet një seksion i veçantë, i quajtur “Flamingo Mirror”, ku, sipas tij, do të publikohen të dhëna dhe dokumente që lidhen me investimet në Sazan dhe Zvërnec.

Rama deklaroi se ky do të jetë një nga komponentët e parë të platformës dhe se synimi është që informacionet për çështje të caktuara të paraqiten së bashku me dokumentacionin përkatës, statusin e negociatave dhe referencat ligjore.

Sipas kryeministrit, në këtë seksion do të trajtohen çështjet që lidhen me Sazanin, Nartën dhe Pishporon. Ai kundërshtoi gjithashtu pretendimet për përfshirjen e zonës Nartë-Vjosë, duke i cilësuar ato si “lajm i rremë”.

Rama foli edhe për mënyrën se si PasqyrAlbania do të trajtojë të dhënat e përdoruesve. Sipas tij, platforma nuk do të përdorë të dhënat e qytetarëve për dërgimin e njoftimeve pa miratimin e tyre.

Ai tha se qytetarët do të mund të zgjedhin nëse duan të marrin njoftime në kohë reale për çështje të caktuara, duke përmendur si shembull informacionet për rrezikun nga zjarret.

Kryeministri e cilësoi “kartelën publike” si një nga elementet kryesore të platformës. Sipas shpjegimit të tij, aty do të pasqyrohen puna që po kryhet, institucioni përgjegjës, dokumentet përkatëse, statusi i procesit dhe provat që mbështesin informacionin e publikuar.

Rama deklaroi se platforma nuk do të përmbajë tekste propagandistike apo premtime për atë që institucionet synojnë të bëjnë, por informacione mbi aktivitetin aktual të qeverisë, Kuvendit dhe pushtetit gjyqësor.

Advertisement