✦
Thinking ...
Connect with us

Politike

Rama ndryshon rregullat e paraburgimit/ Bardhi: Po qep një ligj sipas masës së vet

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, ka reaguar ndaj ndryshimeve të prezantuara nga kryeministri Edi Rama në Kodin e Procedurës Penale, duke e interpretuar nismën si një përpjekje për të ndryshuar rregullat e paraburgimit në funksion të interesave politike dhe personale të kryeministrit.

Rama prezantoi paketën e ndryshimeve duke argumentuar se arresti me burg duhet të përdoret si masë e fundit dhe se procedimi penal duhet të nisë nga “zona e lirisë”. Sipas draftit të prezantuar, për veprat penale që kanë një dënim maksimal nën 5 vite burg, masa e arrestit me burg nuk do të caktohet. Procesi për ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale është pjesë e një reformimi më të gjerë të legjislacionit penal, të lidhur edhe me procesin e integrimit evropian.

Bardhi e kundërshton këtë qasje dhe e ka cilësuar nismën si “një ligj i ri për hallet e vjetra të Ramës”. Ai pretendon se gjatë viteve të qeverisjes socialiste përdorimi i masave penale ka qenë pjesë e përgjigjes ndaj problematikave të ndryshme, ndërsa ndryshimi i qëndrimit për paraburgimin, sipas tij, lidhet me zhvillimet e fundit në sistemin e drejtësisë.

Reagimi i plotë:
Një ligj i ri për hallet e vjetra të Ramës!

Edi Ramës nuk i intereson se kush rri në paraburgim me të drejtë dhe kush jo. Po t’i interesonte vërtet, nuk do ta kishte shpallur dhe ndjekur “BURGUN” si rrugën e shkurtër të zgjidhjes së çdo problemi social në Shqipëri, që ditën e parë të ardhjes në pushtet. Burg për ndërtimet pa leje. Burg për energjinë. Burg për punën në të zezë. Burg gjatë COVID-it. Sa herë ai dështonte të mbante një premtim elektoral, përgjigjja politike ishte e njëjta: më shumë penalizim, më shumë burg.

Në tetor 2014, gjatë operacionit për energjinë, u arrestuan mbi 1 mijë persona vetëm në muajt e parë. Një politikë që pati edhe histori tragjike. Qamil Zela, 52 vjeç, baba i tre fëmijëve, qëndroi dy muaj në paraburgim për një borxh prej 35 mijë lekësh të vjetra dhe, më 28 dhjetor 2014, u vetëvar në qeli.

Prandaj Edi Rama nuk mund ta sjellë sot Këshillin e Europës sikur sapo ka zbuluar se Shqipëria ka problem me paraburgimin. Këshilli i Europës e kishte thënë këtë që në muajt e parë të qeverisjes së tij. Më 16 janar 2014, Këshilli i Europës paralajmëroi për “mbështetjen e tepruar te paraburgimi” dhe rekomandoi që kjo masë të përdorej vetëm si zgjidhje e fundit, duke u dhënë përparësi alternativave. Raporti i Këshillit të Europës konstatoi se, nga tetori 2013 deri në shkurt 2014, numri i të paraburgosurve ishte dyfishuar, duke arritur rreth 2,300 persona, ose afërsisht 40% të të gjithë popullsisë së burgjeve.

Pra, Edi Rama e dinte. Paralajmërimi europian ishte bërë dhe shkaktari ishte identifikuar: politika e qeverisë.

Atëherë, kur iu kujtua Edi Ramës se liria duhet të jetë rregulli dhe burgu përjashtimi?

Sigurisht, jo në vitin 2014, kur Këshilli i Europës ngrinte alarmin. Jo kur, sapo ai erdhi në pushtet, paraburgimet u dyfishuan. Dhe jo kur Qamil Zela u vetëvar në paraburgim për energjinë elektrike.

Edi Rama u kujtua se kishte shkaktuar këtë problem në shkurt 2025, pas arrestimit të Erion Veliajt.

Më 12 shkurt 2025, dy ditë pas arrestimit, Edi Rama foli për “burgosje pa gjyq” të Veliajt dhe tha se gjykimi mund të vazhdonte në gjendje të lirë. Vetëm atëherë zbuloi edhe “zonën e lirisë” të Këshillit të Europës.

Jo se i dhimbset Veliaj. Edi Rama po punon për veten. Ergys Agasi ka shumë për të thënë. Belinda Balluku ka shumë për të thënë. Besoj të gjithëve u kujtohet deklarata publike se SPAK-u nuk ia merrte dot telefonin Edi Ramës.

Ndryshimet e sotme shpjegojnë gjithçka.

Deri tani Edi Rama ka bërë ligje me porosi për të tjerët. Sot, po qep një ligj sipas masës së vet.

© BalkanWeb
Advertisement