Politike
Rama në një nga kioskat e djegura: Nuk janë studentët, e gjithë kjo flamë nuk është e tyre
Nga një prej kioskave të djegura në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kryeministri Edi Rama përforcoi të njëjtën deklaratë të një dite më parë se pas sulmeve në kryeqytet nuk qëndrojnë studentët.
Fajin ia adresoi sërish opozitës së kapur dhe të huajve që s’e duan Shqipërinë në BE. Për kryeministrin nuk është rastësi që mbyllja e kapitullit të katërt përkon me një protestë të kësaj përmase.
Ai u dha sërish të drejtë studentëve për kërkesat e tyre, por tha se nuk ka përkulje para dhunës. Me bindje, u shpreh se duhet bërë durim në këtë situatë për të dalë më të fortë.
“Përballuam një tërmet me pasoja, ruajnZ Zot ku e ku më të mëdha dhe ia dolëm së bashku dhe sot ata që humbën shtëpinë për 30 sekonda, jetojnë në shtëpi më të mira e më të forta. Si mund të jenë studentët, si mund të jetë investimi i prindërve te fëmijët e tyre kjo gërmadhë? E gjithë kjo flamë nuk është flamë studentore. E gjithë kjo pengmarrje e qytetit në maska nuk ka të bëjë me hallet e problemet e dikujt që do një jetë më mirë. E gjithë kjo është po ajo dorë që ka kapur për fyti opozitën shqiptare që ka djegur Shqipërinë dhe është gati ta djegë përsëri për të mos e lënë të bëjë përpara nga urrejtja më e verbër. Këta nuk janë studentët, as ata që marrin peng gjatë ditës nuk janë studentët dhe as ata që në mbrëmje predikojnë lëvizjen, përpjekjen, revoltën studentore, nuk kanë të bëjnë me ju. Si mund të nxirren të miturit në rrugë, të vënë maska, të shkulin trotuaret dhe qëllojnë policinë? Si mund të rrezikohet jeta e të miturve si një lukuni e verbër për axhendë të tjetërkujt? sot mbështetet nga duar të tjera, të huaja që s’e duan Shqipërinë të qetë, të shohë drejt dhe të ecë përpara, që nuk e duan pjesë të familjes së bashkuar europiane, aty ku do të shpëtojë njëherë e përgjithmonë nga këto duar dhe zgjedha e zgjedhës së detyruar. Nuk e duan Shqipërinë të lirë. ju duket rastësi që sapo Shqipëria çel një tjetër dritë jeshile, afrohet më shumë drejt objektivit historik, këtu plas flaka? Nuk është aspak rastësi. E gjithë kjo që po ndodh është sprovë, test i karakterit tonë dhe një tjetër hap që ne do ta hedhim së bashku përballë një pengese që na është vënë përpara. Studentët, sipërmarrësit, kanë të drejtë të kërkojnë më shumë ndërkohë që problemet janë aty, duhen adresuar ndërkohë që përpiqemi të bëjmë më të mirën, të mësojmë më shumë dhe të bëjmë më mirë. E kemi sjellë Shqipërinë e Tiranën deri këtu, këtë e ka sjellë një punë këmbëngulëse. Kush thotë le të përkulemi përballë dhunës për pakëz qetësi, gabon. Kjo do të thotë ta humbësh rrugën për një kohë të gjatë. Ka qenë Shqipëria e përkulur përballë dhunës dhe s’ka arritur asgjëkund. Motra e vëllezër durim se kjo do të kalojë dhe do të dalim më të fortë dhe të vetëdijshëm”, tha Rama.