Politike
Rama në zyrë, qytetarët në rrugë, protesta përfundon me 14 arrestime-emrat
Protesta e 1 shtatorit para Kryeministrisë është shoqëruar me arrestime dhe përplasje mes protestuesve dhe forcave të policisë.
Një ditë pas tubimit, policia ka arrestuar 14 persona, ndërsa disa prej tyre janë identifikuar si Arvina Lleshi, Bora Mitrovica, Edison Lika, Dritan Goxhaj, Erlind Alimeti, Arben Kola dhe Andi Tepelena. Emrat e personave të tjerë dhe akuzat konkrete ndaj secilit prej tyre ende nuk janë bërë të ditura.
Protesta nisi në sheshin “Skënderbej”, nga ku qytetarët marshuan drejt Kryeministrisë. Situata u tensionua kur protestuesit mësuan se kryeministri Edi Rama ndodhej në zyrën e tij dhe një pjesë e tyre u zhvendosën në rrugicat pranë godinës.
Për rreth dy orë, protestuesit qëndruan përreth Kryeministrisë, ndërsa forcat e policisë përforcuan kordonin e sigurisë për të penguar afrimin e tyre drejt godinës.
Mes palëve pati përplasje fizike dhe tensione, ndërsa policia shoqëroi disa protestues.
Pas shoqërimeve, një grup protestuesish u zhvendos drejt Komisariatit nr. 3, duke kërkuar lirimin e personave të shoqëruar.
Një ditë më pas, bilanci i ndërhyrjes së policisë është 14 persona të arrestuar. Deri tani nuk janë bërë publike të gjitha detajet mbi procedimet penale dhe veprat për të cilat akuzohen të arrestuarit.
Ngjarja pritet të vijojë të jetë në qendër të debatit politik dhe publik, ndërsa autoritetet pritet të japin më shumë informacion mbi arsyet e arrestimeve dhe zhvillimet e mëtejshme të procedimit.