Politike
Rama nis konsultimet për reformën administrative, në fokus Bashkitë që parashikohet të shkrihen
Kryeministri Edi Rama ka nisur sot takimet konsultative për propozimin e reformës së re administrative dhe territoriale. Në takimin e zhvilluar në fshatin Kuç të bashkisë Himarë marrin pjesë disa kryebashkiakë, ndërsa Rama shoqërohet nga bashkëkryetari i Reformës Territoriale, Arbjan Mazniku, ministri Ervin Demo dhe drejtues vendorë të bashkive që parashikohet të preken nga ndryshimet.
Propozimi për reformën administrative ndodhet prej rreth tre muajsh në fazën e konsultimit. Procesi është shoqëruar me qëndrime të ndryshme nga njësitë vendore, veçanërisht nga bashkitë që në draftin e ri parashikohet të bashkohen ose të shkrihen.
Pas dërgimit të draftit për hartën e re territoriale nga Kuvendi në bashkitë e vendit, në disa prej njësive të prekura janë zhvilluar protesta nga qytetarë, ndërsa kundërshtime janë shprehur edhe nga këshillat bashkiakë.
Një prej rasteve që ka tërhequr vëmendje është ai i Poliçanit, ku disa mbështetës të Partisë Socialiste kanë protestuar kundër ndryshimeve të propozuara dhe kanë djegur teserat e anëtarësimit në parti. Pas këtij zhvillimi, drejtuesi lokal i PS-së dha dorëheqjen.
Rasti u komentua edhe nga kryeministri Edi Rama, i cili e konsideroi reagimin pjesë të debatit që shoqëron procesin e reformës. Rama tha se kundërshtimet brenda dhe jashtë strukturave politike janë pjesë e një procesi konsultimi dhe se debati rreth ndryshimeve është i pritshëm.
Takimet konsultative pritet të vijojnë edhe në zona të tjera, ndërsa reforma do të diskutohet me përfaqësuesit vendorë dhe komunitetet përpara se të përcaktohet harta përfundimtare administrative dhe territoriale.