Connect with us

Politike

Rama propozon formulën e re për BE-në: ‘7 fëmijët e Ursulës’ të ulen në tryezë

Kryeministri Edi Rama ka përdorur batuta për të shpjeguar vizionin e tij për mënyrën se si duhet të funksionojë integrimi gradual i vendeve kandidate në Bashkimin Europian.

Gjatë fjalës së tij, Rama i cilësoi vendet kandidate si “7 fëmijët e Ursulës”, duke iu referuar presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Sipas tij, këto vende duhet të vazhdojnë të përmbushin kriteret dhe të zbatojnë rregullat për çdo kapitull të procesit, por njëkohësisht duhet të jenë të pranishme në tryezën europiane.

Rama argumentoi se mënyra e integrimit duhet të ndryshojë, duke propozuar që vendet kandidate të përfitojnë gradualisht të drejta brenda fushave ku kanë përmbushur kriteret, në vend që të presin mbylljen e të gjithë kapitujve dhe më pas një vendim politik për anëtarësimin.

Në mënyrë figurative, kryeministri tha se “7 fëmijët”, përfshirë Ukrainën, duhet të ulen në tryezë dhe të dëgjojnë “babanë dhe nënën”, duke iu referuar Francës dhe Gjermanisë, ndërsa Italia do të ishte “tezja”.

“Por duhet të jenë rreth asaj tryeze, ndërkohë që përmbushin kriteret”, tha Rama.

Sipas propozimit të tij, çdo kapitull i përmbyllur do t’i jepte vendit kandidat të drejta të plota brenda asaj fushe. Rama solli si shembull kapitullin e shkencës, duke argumentuar se një vend që e mbyll atë kapitull duhet të ketë të njëjtat të drejta në këtë sektor si vendet anëtare.

“Çdo kapitull që përmbyllin i bën anëtarë brenda suazës së atij kapitulli”, u shpreh kryeministri.

Rama e përshkroi këtë si një mënyrë për ta bërë procesin e integrimit më gradual dhe më konkret, ku vendet që kërkojnë të marrin më shumë nga Bashkimi Europian duhet të kontribuojnë gjithashtu më shumë në funksionimin e tij.

Advertisement