Connect with us

Politike

EDI RAMA PO LEVIZ PER TE SHUAR PROTESTEN

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës publike të avokatit Dorian Matlija, i cili njoftoi se distancohet nga disa prej zhvillimeve dhe qëndrimeve brenda protestës qytetare, duke e cilësuar reagimin e tij si një “hap konstruktiv në drejtimin e duhur”.

Përmes një postimi, Rama tha se kushdo që ka arritur në këtë përfundim duhet të kuptojë dy çështje thelbësore, duke theksuar se qeveria gëzon një mandat të fortë popullor dhe se prioriteti kryesor mbetet anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

“Hap konstruktiv në drejtimin e duhur, po dy gjëra duhet t’i kuptojë kushdo ka arritur në këtë kthesë, paçka se me pak vonesë”, shkruan Rama.

Sipas tij, qeveria ka marrë mandatin e qytetarëve për të përfunduar negociatat me Bashkimin Europian dhe nuk duhet të shpërqendrohet nga ky objektiv.

“Ky ‘pushteti kriminal’ është në negociata me Bashkimin Evropian për anëtarësimin e Shqipërisë dhe ka mandatin më të fortë popullor të 20 viteve të fundit, pikërisht që të mbyllë negociatat pa humbur asnjë ditë kohë e pa u çfokusuar në asnjë moment nga ky mision kombëtar”, shprehet kryeministri.

Në reagimin e tij, Rama shton se Shqipëria ndodhet përpara një momenti historik, që sipas tij lidhet vetëm me procesin e integrimit evropian.

“Sot nuk ka asnjë moment tjetër historik për të pasur parasysh, përveç rrugës së hapur të Bashkimit Evropian për Shqipërinë, e cila nuk duhet lënë kurrsesi të mbyllet”, thekson ai.

Sa i përket çështjeve të ngritura nga protestuesit, si mbrojtja e natyrës, Vjosë-Nartës, flamingove, transparenca, lufta kundër korrupsionit dhe arroganca e pushtetit, Rama deklaron se ato duhet të trajtohen përmes dialogut institucional.

“Temat e ‘natyrës, Vjosë-Nartës, flamingove, transparencës, anti-korrupsionit apo arrogancës së pushtetit’ ka vetëm një rrugë për t’i trajtuar me seriozitet: dialogu demokratik me Qeverinë Shqiptare”, përfundon reagimi i kryeministrit.

Advertisement