Politike
Rama skanohet nga Koka, zbulon gafën diplomatike të kryeministrit në ‘Bordin e Paqes’
Bledian Koka analizoi vizitën e Kryeministrit Edi Rama në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke vënë theksin te momenti më shqetësues i fjalimit, përfshirja e çështjeve të drejtësisë në një takim ndërkombëtar dhe sulmi drejtpërdrejt ndaj prokurorit Jack Smith, i cili ka drejtuar hetimin që çoi në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit dhe më pas u emërua prokuror i posaçëm për hetimet ndaj Donald Trump në SHBA.
Rama e etiketoi Smith ndërkombëtarisht si “sicario”, një term që nënkupton vrasës me pagesë, duke e përdorur këtë figurë si mjet politik për të relativizuar autoritetin e drejtësisë ndërkombëtare dhe për të personalizuar një aktivitet diplomatik. Koka theksoi se kjo nuk ishte një figurë retorike e thjeshtë, por një tentativë e qartë për të manipuluar perceptimin e drejtësisë dhe për konsum të brendshëm politik.
Gazetari paralelizoi këtë sjellje me rastin e Belinda Ballukut, ku Rama ka përdorur presionin politik dhe sulme ndaj prokurorëve për të mbrojtur individë të afërt me qeverinë dhe për të shmangur përgjegjësitë ligjore.
Sipas Kokës, sulmi ndaj prokurorit Smith dhe përdorimi i termit “sicario” është një gabim diplomatik i rëndë, që tregon qartë modelin e Ramës për të parë drejtësinë si një instrument që mund të sulmohet dhe manipulohet për interesat e tij personale, duke rrezikuar seriozisht besueshmërinë e institucioneve dhe pozicionin ndërkombëtar të Shqipërisë.
Pjesë nga deklarata:
Tani po flasim për Shqipërinë. Është pranuar Bordi i Paqes. Për shembull, Italia aty është në pozicionin e monitoruesit dhe vëzhguesit. Është i vetmi vend përfaqësues, mos gaboj, dhe Rumania, që janë të Bashkimit Europian. Rumania më duket se është vend anëtar. Edhe Bullgaria. Nuk jam i sigurt, por të paktën Rumania po. Kjo do të thotë që duket se ka një problem. Gjithsesi, unë jam pro pjesëmarrjes; jam pro që Shqipëria të jetë në cilëndo mision ose nismë që kanë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa menduar nëse kjo nismë do të ekzistojë apo jo, nëse, ta zëmë, republikanët vijnë. Por kjo është çështje tjetër.
Tani, pse po e diskutojmë ne gjithë këtë? Sigurisht që po e diskutojmë sepse vetë propaganda e mazhorancës, me zotin Rama në krye, e ka orientuar gjithë këtë prezencë të sotme të zotit Rama në Shtetet e Bashkuara të Amerikës jo si një vendimmarrje ose pozicionim të Shqipërisë në një çështje shumë të rëndësishme dhe delikate ndërkombëtare, siç është situata në Lindjen e Mesme, por thjesht si një qëllim në vetvete për të treguar sa i afërt është zoti Rama personalisht, si politikan, me presidentin aktual të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pra, ky është problemi që duhet të ndajmë dhe kjo është gjëja që duhet t’u themi qytetarëve shqiptarë. Nuk ka rëndësi nëse është vizitë zyrtare, nëse do të ndodhte në Shtëpinë e Bardhë. Kjo nuk duhet të zëvendësojë dhe nuk duhet ta pranojmë që të trajtohet siç po tentohet të trajtohet, siç u trajtua edhe në Kuvendin e Shqipërisë nga zoti Balla, kur tha: “Mbajeni mend çfarë do të shihni në orën 4”. Mediat kanë shkruar për Trump-in, për kryeministrin e Shqipërisë, për Shqipërinë aty ku duhet të ishte. Patjetër, sepse që në nisje kjo u orientua si një nder personal, si një njohje personale e raportit që Donald Trump ka me Edi Ramën dhe jo si një raport normal mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë.
Unë nuk e mbaj mend Fatos Nanon në vitin 2003, kur u vendos që Shqipëria, bashkë me opozitën e kohës, të ishte pjesë e ISAF-it dhe e pjesëmarrjes në Irak. Nuk kishte atëherë debate për raportet personale të Fatos Nanos me George Bush-in. Të gjithë ishin të bindur që sulmi ndaj Amerikës ishte një sulm terrorist dhe mënyra si Amerika dhe aleatët e saj vendosën t’i kundërpërgjigjeshin ishte gjëja më e arsyeshme. Shikoni si ka ndryshuar narrativa nga 2003-shi, kur jemi pak a shumë në një situatë të ngjashme.
Zoti Rama nuk mund të kërkojë diçka në një vend ku ai vetë vendos çdo gjë. Nuk është se Bajram Begaj i kërkon diçka. Ai mori ftesën që erdhi nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe e personalizoi atë. E shiti sikur ftesa i kishte ardhur vetëm atij. Në një moment u duk sikur Bordin e Paqes e kishte organizuar vetë zoti Rama dhe kishte ftuar edhe Donald Trump-in. Derisa u mor vesh që ishte një ftesë dërguar mbi 50 vendeve dhe vetëm 25, bashkë me ne, ishin përgjigjur pozitivisht. Për të siguruar një prani aty, që sot do të shitet si “Trump-i dhe Rama do të udhëheqin botën”. Kjo është puna e tyre.
Pastaj erdhëm te ideja për një autorizim që në Amerikë të shkojë vetëm Edi Rama dhe askush tjetër. Dhe ja ku jemi sot. Prapë po them: shumë mirë që shkoi, le ta kalojë oqeanin; e rëndësishme është që Shqipëria është aty.
Ajo që unë vura re te fjalimi është se ai nuk ishte për pozicionin e Shqipërisë, por për konsum të brendshëm. Deri në momentin kur ai përshëndet zotin Trump, e falënderon për ftesën dhe thotë që Shqipëria do të jetë me trupa, gjithçka është normale. Por më pas ai përfshin papritur mënyrën se si e koncepton raportin me drejtësinë.
Unë nuk mendoj që Hashim Thaçi dhe tre komandantë të tjerë kanë nevojë për mëshirë; ata kanë nevojë të gjykohen dhe të dalin të pafajshëm, nëse janë të tillë. Por në momentin kur i thua presidentit të Shteteve të Bashkuara që ata janë të pafajshëm dhe po i heton një prokuror që e cilëson “Sicario”, kjo është problematike. “Sicario” është term për vrasës me pagesë. Ai prokuror nuk ka shkuar vetë aty; është caktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ta quash kështu është gafë e madhe dhe, nëse trajtohet, do të jetë problematike.
Pastaj, kur i thua zotit Trump që i njëjti prokuror që po heton këta është ai që të hetoi ty, çfarë po kërkon? Që ta heqin bashkë? Drejtësia nuk funksionon kështu. Rama duket sikur mendon se duke folur për Jack Smith-in, flet për një prokuror që mund të ndërhyhet politikisht, siç koncepton ndërhyrjen në Shqipëri për pezullimet. Nëse e analizon dy minuta atë pjesë të fjalimit për përballjen me drejtësinë dhe nevojën për ndërhyrje, ajo pasqyron mënyrën si ai e koncepton pushtetin dhe raportin me drejtësinë.