Connect with us

Politike

Rama zbulon marrëveshjen e re me sistemin bankar: Mbështetja e bizneseve me kredi të buta

Në episodin e sotëm të podkastit ”Flasim” Edi Rama bëri me dije se qeveria ka nënshkruar një partneritet të rëndësishëm me sistemin bankar për mbështetjen e sipërmarrjes shqiptare.

Një marrëveshje të cilën kreu i qeverisë e cilësoi si një hap me potencial të madh për zhvillimin e mëtejshëm të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

bëhet fjalë për një marrëveshje ndërmjet qeverisë, sistemit bankar dhe linjës së kredisë së Banka e Shqipërisë e cila synon krijmin e më shumë mundësive financimi për bizneset shqiptare përmes kredive me interesa të ulëta dhe garancisë sovrane të qeverisë.

“Këtë javë nënshkruam edhe partneritetin shumë të rëndësishëm mes shtetit dhe sistemit bankar për mbështetjen e sipërmarrjes shqiptare. U hodh një hap i paralajmëruar, por që është një hap në drejtimin e duhur me një potencial të jashtëzakonshëm për rritjen e mëtejshme të sipërmarrjes shqiptare.

Nënshkrimi i partneritetit ndërmjet qeverisë, sistemit bankar dhe linjës së kredisë së Bankës së Shqipërisë për programin kombëtar të financimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme është një derë e hapur, një program që u jep shumë më tepër mundësi ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme që të rriten përmes kredive me interesa të ulëta dhe garancisë sovrane të qeverisë për kredinë e tyre.

Një program i lindur nga nevoja tanimë gjithmonë e më e zëshme e sipërmarrjes së vogël shqiptare për t’u rritur në bazë të themeleve të hedhura me shumë punë, me shumë përpjekje, me shumë mund dhe, në shumë raste, me eksperiencën e fituar në emigracion”, tha Rama.

Kreu i qeverisë theksoi se shumë sipërmarrës kanë nevojë për mbështetje financiare për të zgjeruar aktivitetin, ndërsa shteti do të jetë në krah të tyre përmes këtij programi.

Ai bëri të ditur se programi parashikon kredi me interesa nga 2 deri në 3%, si edhe garanci sovrane nga 30 deri në 70%, në varësi të nivelit të riskut.

“Kështu që, përmes këtij programi, ne besojmë shumë që, duke vënë në dispozicion një linjë kredie me interesa nga 2 deri në 3% dhe një garanci sovrane nga 30 deri në 70%, në bazë të riskut, do t’u japim mundësira të mëdha konkrete mijëra ndërmarrjeve shqiptare”, theksoi kryeministri në fjalën e tij.

Advertisement