Kosova
“Republika nuk mund të mbahet peng”
Një koalicion i figurave nga komuniteti akademik, shkencor, artistik dhe ai i shoqërisë civile ka kërkuar nga aktorët politikë që t’i japin fund krizës politike, duke kërkuar konstituimin e institucioneve dhe mbrojtjen e rendit kushtetues në Kosovë.
Në dokumentin e publikuar të mërkurën, nënshkruesit – mes të cilëve figurojnë ish-kryetarë të Gjykatës Kushtetuese, ish-ambasadorë, akademikë, politologë, filozofë, artistë, përfaqësues të bizneseve, si dhe personalitete të tjera të njohura të fushave të ndryshme – kanë theksuar se vendi nuk mund të mbetet peng i bllokadave politike.
“Kosova nuk mund të vazhdojë të mbetet pa institucione funksionale për shkak të kalkulimeve partiake, interpretimeve të njëanshme të kushtetutës apo mungesës së vullnetit për kompromis demokratik. Kjo e dëmton besimin e qytetarëve në demokraci, pengon zhvillimin ekonomik dhe social dhe cenon pozitën ndërkombëtare të Kosovës”.
Duke iu referuar vendimeve të Gjykatës Kushtetuese se askush nuk ka të drejtë të bllokojë procesin, nënshkruesit kanë bërë thirrje që vendi të mos lejohet të zhytet në një paralizë që mund të sjellë pasoja afatgjata për stabilitetin e shtetit.
Ata kanë kërkuar gjithashtu nga komuniteti akademik, shoqëria civile, mediat dhe qytetarët të mos qëndrojnë indiferentë ndaj “degradimit të kulturës demokratike dhe normalizimit të bllokadës” në Kosovë, ndërsa nga liderët politikë që të rikthejnë në qendër të veprimit shtetëror interesat strategjike dhe afatgjata të Republikës.
Kosova është në krizë që nga zgjedhjet e rregullta të mbajtura më 9 shkurt 2025, të pasuara nga zgjedhjet e parakohshme në dhjetor 2025 dhe ato të qershorit 2026. Për shkak të mungesës së konsensusit midis partive për konstituimin e institucioneve dhe për pozitën e presidentit, vendi ka mbetur në “autopilot” qe pothuajse 500 ditë.