✦
Thinking ...
Connect with us

Kronike

Revolta shqiptare në burgun e Pisas, 3 shqiptarë në bankën e të akuzuarve

Katër të burgosur, tre shqiptarë dhe një shtetas kolumbian, janë marrë të pandehur si të dyshuar për organizimin e revoltës së 1 tetorit në burgun Don Bosco në Pisa të Italisë.

Sipas mediave italiane, shqiptarët e akuzuar janë Ilber Arshi, 39 vjeç, Andrea Petroniq, 43 vjeç dhe Daniel Myrtaj, 24 vjeç. Ky i fundit dyshohet se ka transmetuar drejtpërdrejt revoltën në TikTok dhe përballet gjithashtu me akuzën e përdorimit të paligjshëm të telefonit në ambientet e burgut.

I pandehuri i katërt është shtetasi kolumbian Jerson German Bolanos, 39 vjeç.

Përveç akuzës për organizimin e trazirave, katër të pandehurit akuzohen edhe për dëmtim të pronës, pasi gjatë revoltës u shkaktuan dëme të konsiderueshme në sektorin e burgut ku ata vuanin dënimin.

Ngjarja nisi rreth orës 19:00 dhe më pas situata u përshkallëzua në përplasje fizike mes të burgosurve dhe efektivëve të Policisë Penitenciare. Në burg u dërguan edhe autoambulanca për t’u ardhur në ndihmë personave të lënduar.

Sipas gjyqtarit që po heton paraprakisht çështjen, Domenico Vatrano, të përfshirët dyshohet se kanë kryer akte dhune, kërcënime dhe kanë kundërshtuar urdhrat e forcave të rendit.

Për shkak të rrezikshmërisë së vlerësuar nga autoritetet, katër të akuzuarit janë transferuar në burgje të tjera të Toskanës, nën masa më të rrepta sigurie.

Ndërkohë, autoritetet italiane kanë identifikuar deri tani edhe 16 të burgosur të tjerë që dyshohet se kanë marrë pjesë në revoltë, ndërsa hetimet vijojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.

Gjatë transmetimit në TikTok, disa prej të burgosurve pretenduan se ishin dhunuar nga gardianët me shkopinj gome. Ata kërkuan gjithashtu më shumë privatësi, duke deklaruar se dëshironin të flisnin lirshëm në qelitë e tyre pa frikën e përgjimit.

Advertisement