Kronike
Rihapet dosja e masakrimit të Kozeta Hysenit në ’99, prokuroria kërkon marrjen në pyetje të 28 personave
Prokuroria e Tiranës ka rihapur hetimet për vrasjen e Kozeta Hysenit, një krim i rëndë i ndodhur në Qytetin Studenti më 19 shkurt 1999, i cili prej më shumë se dy dekadash vijon të mbetet i pazbardhur.
Sipas materialeve të siguruara nga Top Channel, Prokuroria e Tiranës u ka kërkuar disa strukturave të Policisë së Shtetit që të marrin në pyetje 28 persona, përfshirë disa individë që janë përmendur edhe gjatë hetimeve të mëparshme.
Në listën e personave që duhet të ripyeten janë edhe dy oficerë policie që kanë hetuar ngjarjen në kohën kur ajo ndodhi. Po ashtu, kërkohet marrja në pyetje e familjarëve të Agim Karafilit, i cili është vrarë në një periudhë të mëvonshme, si dhe e Dritan Gjikës.
Hetimet përfshijnë edhe Indrit Dulen dhe persona të afërt me të. Sipas dëshmive të administruara në atë kohë, Dule kishte deklaruar se natën kur ndodhi vrasja ndodhej për vizitë te e fejuara.
Në kuadër të rihapjes së dosjes do të ripyeten edhe tre vajzat që ndanin dhomën me Kozeta Hysenin. Prokuroria ka kërkuar marrjen e dëshmive të Mirela Metajt, Valbona Kasajt dhe Kozeta Bushit.
Kozeta Hyseni ishte vajza e një prokurori në qytetin e Vlorës. Pavarësisht viteve të hetimeve dhe kalimit të dosjes mes strukturave të policisë dhe prokurorisë, deri më tani asnjë person nuk është dërguar para gjykatës si i akuzuar për vrasjen e saj.
Rihapja e hetimeve pas 27 vitesh synon të rikthejë në shqyrtim dëshmitë, personat dhe rrethanat e hetuara në atë kohë, në përpjekje për të zbardhur një prej dosjeve më të vjetra të pazgjidhura të kryeqytetit.