Aktualitet
Rrahën kamerierin/ Avokati i dhunuesve: 18-vjeçari i provokoi, sherri ishte i zakonshëm
Në lidhje me vendimin e marrë për dy personat Florian Habilaj dhe Enold Dragoti, që akuzohen për dhunimin e kamerierit, mbrojtja e dyshes është shprehur se vendimi “arrest me burg” për 45 ditë, është i stisur. Ndërsa përleshjen mes të rinjve ai e cilëson si të zakontë, si një sherr i ndodhur si pasojë e provokimit. Sipas avokatit Altin Sinella ka qenë 18-vjeçari ai që i ka provokuar ata dhe Florian Habilaj e Enold Dragoti e kanë dhunuar.
“U la me afat 45-ditor për t’u analizuar ekspertiza mjeko-ligjore, që në fakt është farsë, është e stisur. Janë dëmtime të lehta sipërfaqësore, por për të motivuar arrestin u akuzuan për plagosje të rëndë. Është një rrahje e rëndomtë. Një sherr mes të rinjsh. Viktima i ka provokuar, këta i janë kthyer. Kanë pasur një debat verbal, i ka provokuar dhe këta i janë kthyer” tha avokati në një prononcim të dhënë ditën e sotme për mediat.
Më tej avokati shprehet se të dyja palët kanë dalë të dëmtuara nga ngjarja e ndodhur dhe i bindur se në këtë mes ka të pafajshëm, Sinella pret që e vërteta të zbulohet në vijim.
“Kanë pasur një debat verbal, i ka provokuar dhe këta i janë kthyer. Nuk jam shumë i qartë për ngjarjen. Viktima mban qëndrim të ndryshëm nga të arrestuarit. Njëri ka versionin e vet, tjetri të vetin. Se kush është më i besueshmi, do të dalë rrugës. Të bësh sherr askush nuk ka qejf. Janë të zhgënjyer për veprimet. Të dyja palët janë dëmtuar fizikisht, për njërin s’është marrë asnjë vendim, për tjetrin kanë shkuar në ekstrem” ka shtuar më tej mbrojtja e dyshes që u la në burg me afat 45 ditor.
Sakaq, mesditën e sotme pritet që të mbahet seanca gjyqësore për xhaxhain e kamerierit të dhunuar, i cili fundjavën që lamë pas tentoi të hakmerrej për 18-vjeçarin.