Aktualitet
Rriten krimet nga të miturit, sa të rinj u përballën me drejtësinë në 4 vite
Dy adoleshentë janë arrestuar dhe po hetohen nga Prokuroria e Tiranës pasi i vodhën me anë të një arme lodër 13 mijë Lekë dy turistëve britanikë në mes të Tiranës. Brenda të njëjtës ditë ata vodhën edhe në një farmaci. Pasi iu rrefyen hetuesve, ata pranuan se kishin përdorur gjithashtu edhe lëndë narkotike.
Dëshmia e të rinjve tregoi se ata e kishin nisur gjithcka si një aventurë e cila nuk përfundoi mirë. Por teksa drejtësia është munduar që të tregohet e butë me adoleshentët që përfshihen në krime, statistikat e 4 viteve të fundit janë shqetësuese dhe me trend rritës.
Nga 397 procedime të regjistruara në vitin 2019, raporti i Prokurorisë së Përgjithshme për vitin 2022, flet për një shifër gati dyfishë, prej 821 hetimesh që dyshohet të jenë kryer nga të mitur, ose ku të miturit kanë bashkëpunuar.
Gjatë të njëjtës periudhë, të dhënat zyrtare që Tv Klan siguroi tregojnë se 2229 të mitur u përballën me drejtësinë. Prokuroria dhe Gjykata kanë aplikuar politika të buta penale me ta dhe tregues për këtë janë numri i lartë i hetimeve të pushuara për shkak të marrjes ndaj tyre të masave të shmangies.
Thënë ndryshe, të rinjtë janë paralajmëruar me gojë ose me shkrim, janë këshilluar apo ndërmjetësuar për të mos përfshihen më në krime. Në qeli, të dënuar për një krim janë aktualisht 102 të rinj, ndërkohë si të dyshuar 185 dhe peshën më të madhe e kanë moshat 18-20 vjeç.
Vjedhjet dhe droga janë dy nga veprat penale me të shpeshta ku të rinjtë dhe adoleshentët përfshihen./Tv Klan