Connect with us

Politike

Rusia i shpall luftë boshtit Kosovë-Shqipëri-Kroaci/ Moska i del në krah narrativës së Serbisë

Rusia ka ashpërsuar retorikën ndaj bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë, duke e cilësuar këtë nismë si kërcënim për stabilitetin në Ballkan.

Në një intervistë për agjencinë shtetërore ruse të lajmeve TASS, drejtori i Departamentit të Dytë Evropian në Ministrinë e Jashtme ruse, Yuri Pilipson, e ka përshkruar marrëveshjen trepalëshe si krijim të një “blloku kuazi-ushtarak” në rajon.

Diplomati rus ka përsëritur qëndrimin e Serbisë, e cila prej muajsh e kundërshton bashkëpunimin ushtarak mes Prishtinës, Tiranës dhe Zagrebit.

Pilipson pretendon se ky bashkëpunim është pjesë e një politike të NATO-s për, siç e cilëson ai, “militarizimin e përshpejtuar” të Ballkanit.

Sipas tij, krijimi i një boshti Zagreb-Tiranë-Prishtinë mund të rrisë tensionet në rajon dhe të ndikojë negativisht në marrëdhëniet mes vendeve të Ballkanit.

Ai ka shprehur kundërshtim edhe ndaj afrimit të Kosovës me strukturat euroatlantike, duke theksuar se anëtarësimi në NATO kërkon pëlqimin e të gjitha vendeve anëtare.

Deklarata për Bashkëpunim në Fushën e Mbrojtjes mes Kosovës, Shqipërisë dhe Kroacisë u nënshkrua më 18 mars 2025 në Tiranë nga ministrat e mbrojtjes të tre vendeve.

Megjithatë, dokumenti nuk parashikon krijimin e një aleance të re ushtarake dhe nuk përmban klauzolë për mbrojtje të ndërsjellë apo ndërhyrje automatike ushtarake.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes, Serbia e ka kundërshtuar vazhdimisht këtë bashkëpunim. Deklarata e fundit e diplomacisë ruse tregon se Moska po përsërit të njëjtën narrativë të Beogradit, duke e paraqitur bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri-Kroaci si faktor destabilizues për Ballkanin.

Advertisement