Kronike
SAGA E GJAKMARRJEVE RIKTHEHET NE RRESHEN
Rrësheni përballet sërish me një tjetër ngjarje të rëndë kriminale, duke rikthyer në vëmendje sagën e vrasjeve dhe konfliktet e vjetra që prej vitesh kanë trazuar qytetin e Mirditës.
Të shtënat me armë zjarri të raportuara në fshatin Ndërfushaz kanë shkaktuar vdekjen e Viktor Bardhit, vëllait të Martin Bardhit, i ekzekutuar në shtator të vitit 2023. Autorët dhe motivi i kësaj ngjarjeje mbeten ende të paqartë, ndërsa një automjet i gjetur i djegur në zonë është marrë në konsideratë nga grupi hetimor, pa u konfirmuar ende nëse ka lidhje me krimin.
Vrasja e Viktor Bardhit rikthen në vëmendje historinë e përplasjeve të armatosura në Rrëshen, ku emrat e familjeve Bardhi, Reçi dhe Gjini janë shfaqur në disa prej ngjarjeve më të rënda kriminale të viteve të fundit.
Në qendër të kësaj historie është ekzekutimi i Martin Bardhit, i njohur më herët si Marjan Marku, i cili u vra me breshëri automatike më 27 shtator 2023, në një lokal në qendër të Rrëshenit. Bashkë me të mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë.
Hetimi i asaj ngjarjeje u përqendrua ndër të tjera te konflikti që Martin Bardhi dhe familjarët e tij kishin pasur disa muaj më parë me Saimir Reçin, nipin e Kastriot Reçit.
Përplasja Bardhi-Reçi
Konflikti mes dy palëve shpërtheu më 26 mars 2023. Sipas dosjes hetimore, gjithçka nisi pas një përplasjeje mes Saimir Reçit dhe disa personave të lidhur me familjen Bardhi.
Reçi deklaroi para hetuesve se kishte konstatuar persona pranë banesës së tij, njëri prej të cilëve, sipas tij, po filmonte. Pas një konflikti fizik, situata u përshkallëzua.
Plumbat nuk depërtuan në kabinën e makinës dhe Reçi mundi të largohej nga vendi i ngjarjes.
Për këtë ngjarje, Martin Bardhi u arrestua dhe u përball me akuzat për vrasje me paramendim të mbetur në tentativë dhe armëmbajtje pa leje. Në korrik 2023, Gjykata e Lezhës ndryshoi masën e sigurisë ndaj tij nga arresti në burg në detyrim paraqitjeje, pasi mbrojtja paraqiti prova që, sipas saj, mbështesnin alibinë e tij.
Djali i tij, Erind Bardhi, vijoi të ishte në kërkim.Vetëm rreth dy muaj më vonë, Martin Bardhi u ekzekutua.
Nga konflikti i marsit te vrasja e Martin Bardhit
Pas vrasjes së Martin Bardhit, një nga pistat kryesore të hetimit ishte pikërisht konflikti i tij me familjen Reçi.
Saimir Reçi u mor në pyetje nga grupi hetimor, duke qenë një prej personave kryesorë që duhej të verifikohej për shkak të përplasjes së mëparshme me familjen Bardhi. Ai mohoi çdo përfshirje në vrasje dhe deklaroi se në momentin kur u dëgjuan të shtënat ndodhej në banesën e tij.
Edhe familjarë të tjerë të tij mohuan përfshirjen në ekzekutim.
Hetuesit, megjithatë, verifikuan me kujdes lëvizjet dhe komunikimet e personave të lidhur me familjen Reçi. Në këtë kuadër, telefoni i Martin Reçit rezultoi i formatuar dhe pa të dhëna komunikimi, ndërsa një situatë e ngjashme u konstatua edhe në telefonin e Kleodor Hasanit, i cili kishte lidhje familjare me Reçët. Pajisjet u sekuestruan dhe iu dërguan ekspertizës teknike.
Asnjë nga këto rrethana, në vetvete, nuk përbën provë për përfshirjen e këtyre personave në vrasje.
Hijet e ekzekutimit të Kastriot Reçit
Por hetimi nuk u ndal vetëm te konflikti i marsit.Sipas të dhënave të përfshira në dosjen hetimore, grupi i hetimit ngriti dyshimin se përplasja mes familjes Bardhi dhe familjes Reçi mund të kishte rrënjë shumë më të hershme.
Në qendër të këtyre dyshimeve është vrasja e Kastriot Reçit, më 7 janar 2020, në qendër të Rrëshenit.
Reçi, pronar i televizionit Media Plus, u qëllua me snajper nga një distancë e konsiderueshme, në një atentat të organizuar dhe ende të paqartë në të gjitha rrethanat e tij.
Një nga elementët që ka ushqyer dyshimet e familjes Reçi lidhet me pamjet e kamerave të sigurisë. Sipas dosjes, një person i dyshuar si autor i ekzekutimit, gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, është afruar pranë një automjeti ku ndodhej Martin Bardhi dhe i ka bërë shenjë drejtuesit të mjetit për t’i liruar rrugën.
Ky detaj, sipas hetuesve, ka ngritur dyshime te familja Reçi se Martin Bardhi mund të ketë pasur rol në ndihmën ndaj autorëve të vrasjes së Kastriot Reçit.
Por bëhet fjalë për një pistë hetimore dhe jo për një fakt të provuar me vendim gjyqësor.Pikërisht këtu historia merr një tjetër kthesë.Hetuesit kanë dyshuar se përplasja Bardhi-Reçi mund të jetë vetëm një pjesë e një konflikti shumë më të gjerë, i lidhur me rivalitetin mes familjeve Reçi dhe Gjini.
Për vite me radhë, ky konflikt është shoqëruar me vrasje, atentate dhe episode të dhunshme, duke krijuar një histori të gjatë gjakmarrjeje në zonën e Mirditës.
Sipas dyshimeve të pasqyruara në materialet hetimore, Martin Bardhi mund të jetë perceptuar nga pala Reçi si person i pozicionuar në krahun e familjes Gjini. Pikërisht kjo lidhje e dyshuar është një nga elementët që mund të shpjegojë përse emri i tij u shfaq në hetimet që lidhën vrasjen e tij me konfliktet më të hershme.
Megjithatë, edhe në këtë rast, bëhet fjalë për pista të hetimit dhe jo për një përfundim të provuar përfundimisht nga drejtësia.
Vrasja e Martin Bardhit tronditi jo vetëm familjen e tij, por edhe strukturat e policisë lokale. Pas ekzekutimit, në kuadër të reagimit institucional, u morën masa ndaj drejtuesve të strukturave policore të zonës dhe u ndërmorën kontrolle në banesat e personave të lidhur me konfliktin.
Por hetimi nuk solli menjëherë autorët e vrasjes.Tashmë, me ekzekutimin e Viktor Bardhit, saga duket se ka marrë një tjetër kapitull.
Pyetja që ngrihet është nëse kjo vrasje është një ngjarje e izoluar apo pjesë e një zinxhiri hakmarrjesh që prej vitesh ushqehet nga konfliktet mes familjeve në Rrëshen.Nga vrasja e Kastriot Reçit në vitin 2020, te atentati ndaj Saimir Reçit në mars 2023, ekzekutimi i Martin Bardhit disa muaj më vonë dhe tashmë vrasja e vëllait të tij, Viktor Bardhit, emrat dhe konfliktet rikthehen vazhdimisht në të njëjtën hartë kriminale.
Përplasja mes Reçve dhe Gjinive, por edhe konfliktet e ndërthurura me familjen Bardhi, mbeten një prej enigmave më të mëdha të hetimeve të viteve të fundit në Mirditë.
Nëse pas vrasjes së Viktor Bardhit fshihet sërish hakmarrja, kjo do të jetë për t’u përcaktuar nga hetimet. Për momentin, autorët dhe motivi mbeten të pakonfirmuar zyrtarisht.
Ajo që mbetet e padiskutueshme është se Rrësheni vazhdon të mbajë mbi vete hijen e një sage të gjatë vrasjesh, ku një atentat duket se ushqen tjetrin dhe ku konfliktet e vjetra vazhdojnë të prodhojnë dyshime, armiqësi dhe viktima të reja.