Politike
Salianji për revoltën studentore: Po i japin fund paktit Rama–Berisha të vitit 2008
Ish-deputeti i PD, Ervin Salianji deklaron se revolta studentore e ditëve të fundit po i jep fund paktit Rama-Berisha të vitit 2008. “Një pakt djallëzor që ka krijuar një sistem politik të përqendruar te dy njerëz, ku asnjë institucion, asnjë parti dhe asnjë njeri nuk ka vlerë përveç vullnetit të këtyre dy njerëzve”, shkruan Salianji në një postim në rrjetet sociale.
Ai thekson se qytetarët e ngritur në protesta masive nuk kanë se çfarë të humbasin, prandaj edhe s’kanë frikë nga dhuna që pushteti po ushtron ndaj tyre, duke përdorur edhe policinë.
“Sot në Shqipëri, një i ri e ka praktikisht të pamundur të ëndërrojë, sepse këta që qeverisin ua kanë marrë peng edhe ëndrrat. Ata nuk kanë më se çfarë të humbasin, prandaj nuk kanë frikë as nga pushteti dhe as nga policia, që përdoret si kamxhik kundër tyre”, thekson demokrati.
Reagimi i Salianjit
Sot Shqipëria gjendet në një krizë të thellë ekonomike dhe politike. Të rinjtë shqiptarë janë të parët që e vuajnë këtë krizë dhe prandaj kanë dalë të revoltuar në rrugët e Shqipërisë, pa shpresë për të ardhmen.
Nga njëra anë, ata përballen me rritjen e kostos së jetesës, me çmime të shtrenjta dhe me pamundësinë për të përballuar kostot e arsimimit. Gjithashtu, pasiguria për të ardhmen, për të pasur një karrierë të sigurt dhe për të ndërtuar familjen e tyre në vendin e tyre, i ka bërë ata të derdhen lumë kundër padrejtësive dhe kësaj ekonomie, e cila nuk mendon për ta, por vetëm për pasurimin e pushtetit dhe të njerëzve pranë tij.
Sot në Shqipëri, një i ri e ka praktikisht të pamundur të ëndërrojë, sepse këta që qeverisin ua kanë marrë peng edhe ëndrrat. Ata nuk kanë më se çfarë të humbasin, prandaj nuk kanë frikë as nga pushteti dhe as nga policia, që përdoret si kamxhik kundër tyre.
Kush mendon se mijëra të rinj që dalin në shesh janë të përdorur nga duar të errëta, i ka bërë llogaritë gabim. Edi Rama, i mbytur nga paranoja për humbjen e pushtetit, po i akuzon, po i nëpërkëmb dhe po i tall, në vend që t’i kuptojë. Rama i sotëm si Ramizi i djeshëm!
Të rinjtë në Shqipëri sot jo vetëm që ndihen të pashpresë për të ardhmen, por edhe të papërfaqësuar dhe të përjashtuar nga vendimmarrja politike. Ata sot kërkojnë çbërjen e sistemit politik dhe ndërtimin e një klase politike që i kupton, që i përfaqëson dhe që mendon për ta.
Kanë humbur totalisht besimin te klasa politike dhe, me revoltën e tyre, po i japin fund paktit Rama–Berisha të vitit 2008. Një pakt djallëzor që ka krijuar një sistem politik të përqendruar te dy njerëz, ku asnjë institucion, asnjë parti dhe asnjë njeri nuk ka vlerë përveç vullnetit të këtyre dy njerëzve.
Ky pakt ka krijuar një pushtet autoritar, ka bllokuar qarkullimin e elitave, ka ndërtuar një ekonomi përjashtuese dhe ka bërë që shumë të rinj shqiptarë të largohen nga Shqipëria.
Mirëpo, ky brez nuk e pranon më këtë sistem ekonomik dhe politik. Ata janë në të drejtën e tyre, në të drejtën e Zotit, dhe duhen mbështetur nga të gjithë.
Ky është një moment historik për Shqipërinë.
Të gjithë në shesh për të ardhmen e të rinjve tanë! Të gjithë në shesh kundër sistemit politik antidemokratik dhe antishqiptar!