Shkrime
Sandri me monument në Tiranë/ ‘Aco Šiptare’, pse protestuesit po e tallin Vuçiçin si shqiptar
Në protestat e studentëve dhe opozitës serbe kundër regjimit të Aleksandar Vuçiçit, që zgjasin që prej nëntorit të kaluar është shfaqur edhe një shprehje e hershme, e përdorur ndaj shqiptarëve, si një term pezhorativ kundër tyre, fjala “Šiptare”. Kundërshtarët e presidentit serb po bërtasin në mitingje “Aco Šiptare!” ku “Aco” është një shkurtimi i emrit të presidentit Aleksandar, ndërsa në togfalësh bashkohet edhe forma përbuzëse me të cilën nacionalistët serbë i drejtoheshin shqiptarëve të Kosovës. Sipas në shkrimi të Veton Surroit të botuar edhe në Lapsi.al (linku poshtë), në ish Jugosllavi termi šiptari” përdorej jo vetëm për të bërë dallimin mes shqiptarëve të Shqipërisë e atyre të ish-Jugosllavisë, “por edhe për të përshkruar me të statusin më të ulët shoqëror të të emërtuarit. “Šiptar” nuk ishte aq përcaktim etnik sa përcaktim i rangut shoqëror, të profesioneve të punës fizike. “Šiptar” ishte në Beograd emri tjetër për hamallin që duhej të bartte qymyrin për djegie apo sharrëxhiun që duhej të priste e paloste drutë për djegie në dimër” shkruan ai.
Sipas disave, ky togfjalësh është thjeshtë një parodi, për të kundërshtuar pompozitetin me të cilin Vuçiçin e thërrasin mbështetësit e tij, si “Aco serbi”, pra si babai i kombit. Për të tjerë opozitarë presidenti serb e meriton këtë togfjalësh se ai është njeriu që e ka dorëzuar Kosovën dhe të cilit i duhet ngritur një monument në Tiranë.
Nisur nga ky debat gazetarja beogradase Mirjana R. Milenković, e të përditshmes Danas është përpjekur të kuptojë përmes një artikulli se si duhet arsyetuar rikthimi i ofendimit “Šiptare”. Miroslav Parović, kryetar i Lëvizjes Popullore të Lirisë, i ka thënë asaj: “Mënyra se si qytetarët që protestojnë në mbarë vendin i thërrasin presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç – Aco, Shqiptar – duhet parë si një përgjigje ndaj parullës së stisur dhe krejtësisht të pabazë: Aco, Serb, të cilën përkrahësit e pushtetit janë të detyruar ta brohorasin në praninë e Vuçiçit”, ka shpjeguar ai.
Sipas tij, “Aco, Shqiptar” përshkruan shumë më mirë karakterin e pushtetit të Vuçiçit, madje edhe atë vetë. Nga njëra anë ai e ka kriminalizuar shoqërinë deri në nivele që më parë shiheshin vetëm në Kosovë, ndërsa nga ana tjetër i ka dhënë kontribut krijimit të Shqipërisë së Madhe më shumë se çdo shqiptar.
Për Danas ka folur edhe Shaip Kamberi, deputet dhe lider i Partisë për Veprim Demokratik, i cili mendon se çështja është shumë më serioze sesa për tu reduktuar thjeshtë në një parodi.
“A është e mundur që në Serbi të lindë një opsion politik që ‘të tjerët’ të mos i shohë si armiq, apo si faktor pengues? Vuçiçi prej kohësh e ka merituar të largohet nga pushteti. Kur unë e kritikova regjimin e tij që nga viti 2020, shumë prej atyre që sot janë kundërshtarët e tij e duartrokisnin. Nëse dikush vërtet dëshiron ndryshime, ndryshime që do të përbënin një shkëputje totale nga vitet ’90, atëherë kjo parullë nuk i shkon aspak për shtat”, theksoi Kamberi.
Ai shtoi se, për sa i përket shqiptarëve, ata do të respektojnë çdo njeri që i respekton ata.
“Më vjen keq që dikush që përpiqet të bëjë një ndarje me korrupsionin, ende nuk ka ndërmend të heqë dorë nga politika e ndarjeve etnike. Përndryshe, kam frikë se po hyjmë në një cikël të ri të riciklimit të retorikës së vjetër politike”, shpjegoi Kamberi.
Ivan Kostić, lider i “Dveri”, mendon se populli ka plotësisht të drejtë kur e quan kështu, pasi Vuçiçi ka dorëzuar praktikisht të gjitha institucionet serbe dhe popullin në Kosovë dhe Metohi në duart e separatistëve shqiptarë.
“Duke qenë se këto janë fakte, populli me të drejtë mund ta quajë ashtu, sepse për trembëdhjetë vitet e fundit ai ka vepruar vetëm në interes të shqiptarëve. Ai është në fakt politikani dhe diplomati më i keq në historinë e popullit serb”, shton Kostić.
Aleksandar Pavić, deputet i lëvizjes “Ne – forca e popullit”, thotë se shpjegimi pse qytetarët thërasin Aco, Shqiptar është shumë i thjeshtë.
“Vuçiçi ka bërë më shumë për shqiptarët në Kosovë sesa cilido lider serb ndonjëherë. Ai ia ka dorëzuar veriun e Kosovës pushtetin Prishtinës, ka çmontuar institucionet e mbetura të shtetit serb atje, ka shpërbërë Mbrojtjen Civile, i ka detyruar serbët lokalë fillimisht të marrin pjesë në zgjedhjet e Jahjagës në nëntor 2013, e pastaj i ka detyruar t’i bojkotojnë zgjedhjet e Kurtit 10 vite më vonë, duke ia dorëzuar edhe pushtetin politik në veri Prishtinës. Përveç kësaj, nuk ka lëvizur as gishtin për të mbrojtur popullin, të paktën në veri, nga terrori i Kurtit, por përkundrazi organizoi katastrofën në Banjskë në shtator 2023, pas së cilës Kurti e kontrolloi përfundimisht veriun edhe në aspektin e sigurisë”, thotë Pavić.
Ai shton se Vuçiçi i ka dhënë Prishtinës gjithçka përveç njohjes formale, ndërsa e gjithë politika e tij është reduktuar në protesta të ashpra dhe deklarata që nuk i interesojnë askujt.
“Lista e lëvizjeve tradhtare të Vuçiçit në lidhje me Kosovën është shumë e gjatë. Nëse e ka merituar ndonjëherë një monument, ai i duhet ngritur në Tiranë. Jam i vetëdijshëm që disa do të thonë se këto parrulla lidhen me teorinë se ai është biri i një babai i shqiptar, por shumë pak njerëz do të besonin në këtë histori sikur të mos ishte politika e tij për Kosovën, e cila është pikërisht ajo që çdo ekstremist i Shqipërisë së Madhe do ta dëshironte nga një president i Serbisë”, përfundon Pavić.
Prej nëntë muajsh Serbia është përfshirë nga protesta dhe demonstrata të pandërprera, pasi qeveria serbe nuk ka arritur të ndalojë lëvizjen studentore kundër korrupsionit që ka tronditur vendin. ajo nisi pas shembjes së një tende të stacionit të trenit të rinovuar rishtazi në Novi Sad, në nëntor 2024. Kjo tragjedi, e cila shkaktoi vdekjen e 16 personave, shihet gjerësisht në Serbi si një pasojë e korrupsionit endemik që ka pushtuar këtë vend me 6.6 milionë banorë të drejtuar që në 2014 nga Aleksandar Vuçiç.