Connect with us

Aktualitet

Sazani ‘futet në kllapa’/ Partnerët e Jared Kushner nga Katari regjistrohen në Shqipëri

Një kompani me kapital nga Katari, e lidhur me partnerë biznesi të Jared Kushner, është regjistruar zyrtarisht në Shqipëri me emrin “Sazan Operations SH.P.K”, duke hedhur dritë kështu më shumë mbi projektin madhor në jug të vendit, i cili përfshin drejtpërdrejt edhe dhëndrin e presidentit amerikan, Donald Trump.
Dokumentet themeluese, të siguruara nga media, hedhin dritë mbi strukturën, objektin e aktivitetit dhe mënyrën e kontrollit të kësaj shoqërie, duke shpalosur edhe detaje mbi funksionimin e saj në kohën që do të operojë në vend.
Sipas statutit të datës 1 prill 2026, “Sazan Operations SH.P.K” është një shoqëri me përgjegjësi të kufizuar e regjistruar në Tiranë, me seli në zonën e “Sheshit Italia”, pranë hotelit MAK Albania.
Shoqëria zotërohet 100% nga “Sazan Operations Holding LLC”, një kompani e regjistruar në Qendrën Financiare të Katarit (QFC), me seli në Doha.

Kjo strukturë e bën kompaninë shqiptare një entitet të kontrolluar plotësisht nga kapital i huaj, konkretisht nga një juridiksion financiar që shpesh përdoret për investime ndërkombëtare me fleksibilitet të lartë fiskal dhe rregullator.
Kapitali themeltar është simbolik – vetëm 1 milion lekë dhe përbëhet nga një kuotë e vetme, çka konfirmon kontrollin e centralizuar nga aksionarët prej Katarit. Me gjithë vlerën simbolike të kapitalit themeltar, me projektin e Sazanit, një shifër prej rreth 2 miliardë dollarësh pritet të investohet për zhvillimin e zonës.
Objekti i aktivitetit është formuluar në mënyrë të qëllimshme të gjerë: zhvillim pasurish të paluajtshme, menaxhim hotelesh, njësi mikpritjeje, restorante dhe aktivitete të lidhura.
Ky formulim i hapur është tipik për struktura investimi që synojnë projekte të mëdha turistike ose rezidenciale, duke lënë hapësirë për zgjerim pa kufizime të forta ligjore.
Mbi të gjitha, lë të hapur edhe rrugën për përfshirjen në projekte të tjera konkrete, ku mund të jetë pjesë edhe projekti i zhvillimit në Zvërnec – një tjetër investim nga partnerët e Kushner në Shqipëri dhe në fakt, më pranë realizimit se sa vetë ai i Sazanit, i cili do të kërkojë më shumë kohë.
Me vetëm një ortak, çdo vendimmarrje strategjike kalon praktikisht në një dorë të vetme. Edhe pse parashikohet Asamble e Ortakëve, në këtë rast ajo është formale, pasi përbëhet nga i njëjti subjekt.
Shoqëria drejtohet nga tre administratorë ndërkombëtarë, të cilët kanë të drejtë të veprojnë si bashkërisht, ashtu edhe individualisht.
Megjithatë, statuti vendos një kufizim kyç: ata nuk mund të blejnë apo shesin pasuri të paluajtshme pa miratim paraprak të Asamblesë.
Në praktikë, kjo do të thotë se kontrolli real mbi asetet strategjike mbetet tek kompania mëmë në Katar.
Një element i rëndësishëm është se kuotat janë “lirisht të transferueshme” si ndërmjet ortakëve, ashtu edhe tek palë të treta, shqiptare apo të huaja.
Kjo krijon fleksibilitet të lartë për hyrje ose dalje të investitorëve të rinj, duke e bërë kompaninë një instrument potencial për partneritete të mëvonshme.
Statuti lejon po ashtu marrjen e vendimeve edhe me pjesëmarrje relativisht të ulët të kapitalit (30% për shumicë të thjeshtë), por në këtë rast kjo ka pak ndikim praktik për shkak të strukturës me një aksionar.
Shoqëria është krijuar pa afat dhe ka të drejtë të hapë degë brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe të marrë pjesë në kompani të tjera.
Kjo sugjeron një strukturë të projektuar për operacione afatgjata dhe potencial zgjerimi rajonal, duke mos e limituar vetëm në projektin e Sazanit.
Regjistrimi i kësaj kompanie vjen në një moment kur Shqipëria po tërheq interes në rritje për investime strategjike në turizëm dhe pasuri të paluajtshme, veçanërisht në zona me potencial të lartë zhvillimi si bregdeti i jugut.
Lidhja me partnerë të rrjetit të Jared Kushner e vendos këtë zhvillim në një kontekst më të gjerë gjeopolitik dhe ekonomik, ku kapitali nga Lindja e Mesme dhe rrjetet financiare ndërkombëtare po shfaqin interes të shtuar për rajonin.
“Sazan Operations SH.P.K” mund të paraqitet, në letër, si një strukturë e pastër investimi. Por mënyra si është ndërtuar statuti sugjeron një arkitekturë tipike për projekte të mëdha zhvillimi.
Tashmë, mbetet për t’u parë se si do të vijojë konceptualizimi i projektit dhe se kur, faktikisht, do të fillojë edhe hedhja e tij nga vizioni i planit në punën konkrete në terren, ku siç është shprehur më herët kryeministri Edi Rama, edhe Shqipëria do të ketë pjesën e saj të këtij investimi madhor.

Advertisement