Connect with us

Politike

‘Sekt kriminalo-korruptiv që ka plaçkitur Shqipërinë’, Noka: Protestat do të vazhdojnë deri në largimin e qeverisë narkos

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë, duke e cilësuar atë si një “sekt kriminalo-korruptiv” që, sipas tij, ka pasur si qëllim të vetëm vjedhjen dhe zhvatjen e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Noka komentoi protestën e opozitës të 22 dhjetorit, duke theksuar se ajo ishte një shprehje e qartë e revoltës popullore kundër padrejtësisë, korrupsionit dhe inkriminimit të shtetit. Sipas tij, protesta erdhi si pasojë e drejtpërdrejtë e skandaleve të bëra publike, përfshirë atë që lidhet me ministren Belinda Balluku dhe skandalin e AKSHI-t, ku përmenden emra si Mirlinda dhe Gys Gasi.

“Protesta e 22 dhjetorit kaloi çdo pritshmëri. Për herë të parë, edhe analistët e paguar të regjimit nuk arritën të thonë se nuk kishte popull. Ishte një energji e jashtëzakonshme njerëzore që doli në shesh për të shprehur revoltën ndaj vjedhjes, abuzimit dhe inkriminimit total të shtetit shqiptar,” u shpreh Noka.

Ai theksoi se shqiptarët, përmes kësaj proteste, dhanë një mesazh të qartë se kryeministri Edi Rama nuk përfaqëson më vullnetin e tyre. Sipas Nokës, dosjet e publikuara për skandalin e Ballukut dhe atë të AKSHI-t kanë vërtetuar gjithçka që opozita dhe ish-kryeministri Sali Berisha kanë denoncuar prej vitesh.

“Për 12 vite kemi thënë se ky regjim nuk ka ardhur për të qeverisur, por për të vjedhur. Sot, në këto dy dosje, çdo shqiptar e ka parë qartë se Rilindja nuk përfaqëson asgjë tjetër veçse një sekt kriminal, që ka plaçkitur Shqipërinë,” deklaroi Noka.

Ai shtoi se këto skandale kanë marrë jehonë edhe në mediat prestigjioze ndërkombëtare, përfshirë ato amerikane dhe europiane, të cilat, sipas tij, kanë artikuluar qartë shqetësimin se Shqipëria është shndërruar në një “narko-shtet”.

Duke folur për skandalin e AKSHI-t, Noka paralajmëroi për rrezikimin e sigurisë kombëtare, duke theksuar se bëhet fjalë për një shtet anëtar të NATO-s. “Sot shqiptarët e panë se siguria kombëtare ka rënë në duart e krimit të organizuar. Kur ajo bie në duar të tilla, rrezikohet jo vetëm Shqipëria, por edhe partnerët tanë,” u shpreh ai.

Në këtë kontekst, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së theksoi se opozita do të vijojë protestat në mënyrë të pandërprerë deri në largimin e qeverisë aktuale dhe krijimin e një qeverie teknike. Sipas tij, vetëm një qeveri e tillë mund t’i hapë rrugë zgjedhjeve të lira dhe demokratike.

“Shqiptarët nuk mund të pranojnë më të qeverisen nga kartelet. Ne do të vazhdojmë protestat dhe do t’i prijmë revoltës qytetare për të çrrënjosur këtë kancer që ka kapur shtetin dhe shoqërinë shqiptare,” përfundoi Noka.

Noka:

Protesta erdhi si rrjedhojë e skandaleve të bëra publike, skandali i Ballukut dhe skandali i AKSHI-t ku përfshin Mirlindën dhe Gysi Gasin. Protesta kaloi çdo pritshmëri. Për herë të parë mund t’ju them që analistët apo edhe banalistët që paguhen nga bordet dhe që flasin si analistë nëpër televizionet e regjimit, nuk arritën të thonë që nuk pati popull.

Ajo ishte një energji njerëzore e vërshuar në shesh për të nxjerrë revoltën, për të shprehur revoltën e tyre ndaj padrejtësisë, ndaj vjedhjes, ndaj abuzimit, ndaj inkriminimit total të shtetit shqiptar. Pra, shqiptarët me datën 22 folën qartë. Edi Rama nuk përfaqëson më dot vullnetin e tyre dhe nuk i përfaqëson dot ata. Në dosjet e bëra publike, tek skandali i Ballukut dhe skandali i Mirlindës dhe Gysit, është vërtetuar gjithçka që ka thënë Sali Berisha dhe opozita.

Sali Berisha, Partia Demokratike, kanë ngritur zërin me kohë duke thënë se këta nuk kanë ardhur për të qeverisur, por këta janë aty për të vjedhur. Kemi thënë me kohë që këta, që qeverinë dhe regjimin e kontrollon krimi i organizuar dhe kartelet e drogës, janë ato që bëjnë ligjin në këtë shtet, emërojnë kë emërojnë, përcaktojnë tendera, përcaktojnë koncesionet. Të gjitha këto në këto dy dosje dolën zbuluar. Pra, mjaftuan këto dy skandale që çdo shqiptar të shohë se çfarë pushteti ka patur prej 12 vitesh në krye dhe për të treguar se çfarë janë, çfarë është Rilindja.

Në këto dy dosje, çdo qytetar e pa aty, e pa që Rilindja nuk përfaqëson asgjë tjetër përveçse një sekt kriminal, kriminalo-korruptiv, i cili ka patur vetëm një qëllim: të vjedhë, të zhvasë dhe të plaçkisë Shqipërinë dhe shqiptarët. Prandaj ajo protestë ishte nga më madhështoret në histori, prandaj nuk iu mbylli gojën të gjithë atyre analistëve dhe banalistëve të regjimit dhe dha një mesazh të madh.

Vetë jehona që i bënë të gjithë mediat prestigjoze ndërkombëtare, po theksoj, të gjitha mediat kryesore më të mëdha të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, folën në Evropë.

Pra, të gjitha këto i bën jehonë jo vetëm pjesëmarrjes dhe revoltës popullore, por i bëjnë jehonë një gjëje që deri dje shumë syresh e konsideronin herezi të artikulohej. Shumë syresh na na shihnin me sy tjetër kur ne e thonim, drejtonim gishtin që drejt regjimit si narko-regjim dhe dhe kur thonim që këtu është krijuar një narko-shtet. Kur ne artikulonim që këtu diktojnë dhe kontrollojnë çdo gjë në këtë vend kartelet. Madje ata përcaktojnë edhe jetët e njerëzve. Kush duhet të jetë dhe kush s’duhet të jetë.

Shumë nga këto analistë-banalistë nëpër media dhe gjithandej, thonin që ju keni politikë të vrazhdë dhe akuzoni kot. Ja pra ku është e vërteta. Në dy dosje u faktua çdo gjë që është artikuluar nga opozita në këto 12 vite. Dhe tashmë, jo vetëm ne, janë faktori ndërkombëtar që është qartësuar dhe po e artikulon në të gjitha mediat, që Shqipëria është narko-shteti i parë dhe i vetëm i Europës. Pra Shqipëria e Edi Ramës dhe e Rilindjes. Ne tashmë kemi nisur, por ne nuk ndalojmë.

Ajo që tha sot kryetari i Partisë Demokratike, profesor doktor Sali Berisha, do të kthehet në realitet. Ne do të vazhdojmë në mënyrë permanente. Ne do të jemi persistues në protestat dhe në diversifikimin e protestave çdo ditë derisa Shqipëria të ketë një qeveri teknike, të largohet qeveria narkos, sepse shqiptarët nuk mund të pranojnë më të qeverisen nga kartelet. Nuk mund të pranojnë që Gys Agasi, koordinatori i krimit të organizuar me qeverinë, të kontrollojë dhe të të cënojë sigurinë kombëtare. Sot me skandalin e AKSH-it, çdo shqiptar ka parë një gjë, që siguria kombëtare jo vetëm e Shqipërisë, por ne jemi vend anëtar i NATO-s. Pra, është rrezikohet dhe siguria kombëtare e partnerëve. Pra kjo lloj sigurie kombëtare ka rënë në duart e Gysit. Dhe kur bie në duart e Gysit, është në duart e Suelit, është në duart e Xhabaftëve, është në duart e Troplinëve, është në duart e krimit të organizuar.

 Ekzaktësisht këtë, ekzaktësisht doja këtë po thoja, që tek dosja Balluku, shqiptarët panë si ka vjedhur për 12 vite. Tek dosja e AKSH-it, që është edhe më e rënda, shqiptarët panë që në Shqipëri ka një deep state i cili kontrollon shtetin. Një deep state në të cilin përfshihet vetëm kartelet dhe krimi i organizuar, që kontrollon, dikton emërime, ç’emërime, tendera, koncesione, PPP e të gjithçka, deep state-i. Pra, kjo në një shtet normal nuk mund të ndodhë dhe s’duhet të pranohet. Aq më tepër kur ndodh kjo në një shtet anëtar të NATO-s dhe që po aspiron për të qenë anëtar i Bashkimit Europian.

Është detyra jonë tashmë t’i prijmë qytetarëve, t’i prijmë revoltës qytetare për ta çrrënjosur këtë të keqe, këtë kancer që e ka kapur për fyte Shqipërinë, për fyti Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare dhe për t’i dhënë vendin një qeveri teknike e cila duhet t’i japë stabilitet këtij vendi dhe pastaj t’i ofrojë shqiptarëve atë që është detyrë e çdo qeverie, zgjedhje të lira dhe demokratike ku shqiptarët me votën e tyre të përcaktojnë vullnetin e tyre qeverisës. Pra them me votën e tyre dhe jo me votën e presionit të patronazhistëve si organizatë kriminale në vete, dhe jo me paratë e blera nga korrupsioni dhe nga krimi dhe jo me presionin e karteleve. Vota e shqiptarëve duhet të jetë e lirë.

Advertisement