Kosova
Serbët duan hapjen e urës/ Krstiç: Disa manipulohen nga Beogradi
Gazetari serb në Kosovë, Branislav Kërstiç, ka folur për mundësinë e hapjes së Urës së Ibrit për qarkullimin e makinave.
Ai tha se tani për tani, nuk ka asnjë arsye për shqetësim se do të ketë ndonjë situatë krize në veri, por sipas tij, aktualisht vendi është në një moment, ku secila zgjidhje s’do ti kënaqte të gjithë qytetarët.
“Në qoftë se do të ishte në dorën time do ta nisja sot me shokët e mi që t’i largoja betonet nga ura. Në anën tjetër, kemi një ceshtje teknik, edhe në qoftë se e hapim urën për qarkullim e makinave, ku do të shkojmë, djathtas te Lagjja e Boshnjakëve, apo majtas në Suhodoll? Të dyja rrugët janë të hapura. Mua më duket se jemi në një situatë që nuk kemi zgjidhje me të cilën do të jenë të gjithë të kënaqur. Në anën tjetër, kemi komunitetin serb në veri të vendit, që në një fare mënyre është i manipuluar nga ana e Beogradit” – deklaroi Kërstiç duke shtuar se shumica e serbëve të Kosovës që jetojnë në veri, janë indiferent përsa i përket hapjes së Urës së Ibrit, e po ashtu, sipas tij, ekziston një numër që pro hapjes së saj.
“Shumica prej tyre janë indiferent kur është në pikëpyetje hapja e urës. Ekziston edhe një numër që është pro hapjes së urës dhe në fund kemi një pjesë radikale që janë kundër. Por, në qoftë se nisemi me hapjen e urës me tensione, ekziston mundësia që KFOR-i ta mbyll urën edhe për lëvizjen në këmbë e që është tepër negative për ardhmërinë e bashkëjetesës në Kosovë” – theksoi gazetari serb.
Kërstiq, po ashtu u shpreh se sot për sot janë mbi 3-4 mijë njerëz që lëvizin në këmbë mbi Urën e Ibrit dhe sipas tij, pas rastit të Banjkës nuk ka ndodhur asnjë incident ndëretnik në veri.