Connect with us

Kosova

Serbia hyn në luftë me NATO-n/ Vuçeviç: Ky është synimi i Kurtit

Kryetari i Partisë Progresive Serbe (SNS), Millosh Vuçeviç, në një paraqitje në televizionin “Pink” ka pretenduar se synimi i kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, është ta çojë Serbinë në luftë me NATO-n, si edhe ka shtuar se situata aktuale në Serbi dhe rajon është sfiduese.

“Kërcënimi më i madh është synimi i Kurtit për të dëbuar të gjithë serbët nga Kosova. Një rrezik tjetër me të cilin përballemi është synimi i Kurtit për të na çuar në një luftë të re kundër aleancës së NATO-s. Ne nuk do të biem në kurth. Ne do ta ruajmë paqen dhe stabilitetin”, ka theksuar Vuçeviç.

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiçi, në një intervistë për “TV Prva” ka thënë se pret që “presioni më i madh” në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi t’i bëhet në janar dhe shkurt të vitit 2024, kur do të fillojë fushata zgjedhore për Parlamentin Evropian (PE).

Situata e rënduar e sigurisë në Ballkanin Perëndimor nën dritën e kërcënimeve ruse dhe rrjedha e tensionuar në marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, posaçërisht pas sulmit të armatosur të paramilitarëve serbë në Banjskë të Zveçanit – komunë e banuar me shumicë serbe – në pjesën veriore të Kosovës, pritet të jenë ndër temat kryesore edhe në vitin 2024.

 

Advertisement