Rajon
Serbia merr direktiva nga Rusia për Kosovën
Qeveria serbe duket se po këshillohet hap pas hapi me Rusinë për situatën në Kosovë dhe rrëmbimin e tre policëve në veri.
Takimet ndërmjet përfaqësuesve të lartë të Serbisë dhe përfaqësuesve diplomatikë të Rusisë janë bërë ditët e fundit gjithnjë e më të shpeshta.
Takimi i fundit me ambasadorin rus në Beograd u mbajt nga ministri aktual i Mbrojtjes, Millosh Vuçevic, teksa ai falënderoi Bocan Harcenkon për mbështetjen e vazhdueshme që Federata Ruse po jep për ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë.
Kujtojmë gjithashtu se tre ditë më parë, Vuçic dhe Ivica Daçic, ishin mysafirë në ambasadën ruse në Beograd me rastin e Ditës së Rusisë.
Gjatë takimit te tyre me Botsan-Kharchenko, ky i fundit tha se “e vetmja mënyrë për të zgjidhur të gjitha mosmarrëveshjet është de-eskalimi i situatës aktuale dhe zbatimi i marrëveshjeve detyruese ndërkombëtare, duke respektuar të drejtën ndërkombëtare për sa i përket integritetit territorial dhe sovranitetin e Serbisë”.