Connect with us

Rajon

Serbia në alarm, kritikët e Vuçiçit kërcënohen, dhuna po bëhet normalitet

Revista serbe Time ka publikuar një analizë të fortë mbi situatën politike në Serbi, duke ngritur shqetësimin se dhuna ndaj figurave publike dhe kritikëve të qeverisë po shndërrohet në një dukuri të zakonshme në vend.

Në analizën e saj, gazetarja Jovana Gligorijević argumenton se sulmet e fundit ndaj personave që kanë kritikuar pushtetin janë pjesë e një klime gjithnjë e më të tensionuar dhe të rrezikshme.

Sipas analizës së publikuar nga revista Time, rastet e fundit të dhunës ndaj kritikëve të qeverisë tregojnë për një model që po përsëritet në Serbi.

Sipas Gligorijević, bëhet fjalë për një situatë ku dhuna ndaj kritikëve po humb karakterin e një ngjarjeje të jashtëzakonshme dhe po kthehet në pjesë të përditshmërisë.

Autorja paralajmëron se rreziku më i madh politik nuk është vetëm vetë dhuna, por normalizimi i saj. Kur qytetarët mësohen me sulmet dhe nuk presin më reagim nga institucionet, dhuna gradualisht pranohet si pjesë e realitetit politik.

Në analizë pretendohet gjithashtu se pushteti nuk ka nevojë domosdoshmërisht të japë urdhra të drejtpërdrejtë për sulme. Sipas Gligorijević, mjafton që kritikët të etiketohen vazhdimisht në media si “armiq”, “tradhtarë” apo “mercenarë të huaj”.

Kjo, sipas saj, krijon një klimë ku individët që kritikojnë pushtetin shndërrohen në objektiva të vazhdueshëm të sulmeve dhe presionit.

Një tjetër problem i theksuar është mungesa e një reagimi të fortë institucional. Sipas analizës, nëse autorët e dhunës nuk përballen me pasoja ligjore, krijohet bindja se sulmet mund të kryhen pa u ndëshkuar.

Advertisement