Kosova
SERBIA, PLATFORMA E MOSKËS DHE PEKINIT/ Edward Joseph: Beogradi sfidon orientimin perëndimor të Ballkanit
Serbia po kthehet në pikën më të rëndësishme të betejës për ndikimin gjeopolitik në Ballkan. Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins, thotë se Beogradi mbetet platforma kryesore për atë që ai e cilëson si ndikim dashakeq rus dhe kinez në rajon.
Joseph ka paralajmëruar se Rusia po shfrytëzon marrëdhëniet e saj me Serbinë për të zgjeruar ndikimin në një hapësirë ku jo të gjitha vendet janë të integruara në NATO.
“Është Serbia që është më sinjifikative si platformë për influencën dashakeqe ruse dhe kineze në rajon”, deklaroi Joseph.
Sipas tij, nëse objektivi është testimi i kufijve të NATO-s, vëmendja duhet të përqendrohet te tre vendet e Ballkanit që nuk janë pjesë e aleancës: Serbia, Kosova dhe Bosnjë-Hercegovina.
Por Joseph e sheh Serbinë si hallkën më të rëndësishme të kësaj harte gjeopolitike, për shkak të marrëdhënieve të saj me Moskën dhe Pekinin, ndërkohë që Beogradi vazhdon të deklarojë aspiratën për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Një tjetër zhvillim që ka tërhequr vëmendjen e tij është nderimi i Ratko Mlladiqit, i dënuar nga drejtësia ndërkombëtare për krime lufte dhe gjenocid.
Pjesëmarrja e ambasadorit rus dhe ministrave serbë në ceremoninë për Mlladiqin, sipas Joseph, përbën një hap të rëndë prapa për Serbinë dhe i jep Rusisë mundësi të përfitojë politikisht.
“Ky është një hap shumë mbrapa i Serbisë në rajon dhe Rusia do të përpiqet të përfitojë avantazh”, tha ai.
Për Joseph, problemi nuk është vetëm mesazhi që Beogradi i dërgon rajonit, por edhe pasojat që një qëndrim i tillë mund të ketë për ambicien e Serbisë për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian.
Ai e cilësoi ceremoninë një veprim të turpshëm dhe u bëri thirrje edhe autoriteteve shqiptare që ta shohin me kujdes këtë zhvillim.
Në sfond është një përplasje më e madhe se Serbia. Është beteja për orientimin strategjik të Ballkanit: nga njëra anë NATO dhe Bashkimi Evropian, dhe nga ana tjetër ndikimi i Rusisë dhe Kinës.
Dhe sipas Edward Joseph, Serbia është sot pika ku kjo përplasje gjeopolitike shfaqet më qartë.
