Politike
SHBA DERGON ‘STUHINE’ AMBASADOR NE SHQIPERI
Senati i Shteteve të Bashkuara ka dhënë miratimin përfundimtar për emërimin e Eric P. Wendt si ambasadori i ri i SHBA-së në Shqipëri.
Sipas rezultatit zyrtar të publikuar nga Senati amerikan, kandidatura e Wendt u miratua me 50 vota pro dhe 44 kundër, pas një votimi të zhvilluar në seancë plenare. Ky vendim shënon një nga hapat kryesorë institucionalë për emërimin e tij në postin diplomatik në Tiranë.
Pas miratimit nga Senati, procedura pritet të përmbyllet me nënshkrimin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara, i cili do të formalizojë emërimin e Wendt si përfaqësuesin e ri diplomatik të Uashingtonit në Shqipëri.
Kush është Eric P. Wendt?
Eric P. Wendt ka një karrierë të gjatë në radhët e Ushtrisë amerikane. Ai ka shërbyer si oficer aktiv që prej vitit 1986 dhe, nga viti 1991, është pjesë e forcave speciale amerikane, të njohura si “Green Berets”.
Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Wendt ka marrë pjesë në një sërë misionesh dhe operacionesh ndërkombëtare të Shteteve të Bashkuara. Ai ka shërbyer në Indonezi si drejtues ekipi për Komandën e Paqësorit të SHBA-së, ndërsa ka qenë i angazhuar edhe në operacione ushtarake si “Liria e Qëndrueshme” në Filipine, “Liria e Irakut” në Irak dhe “Liria e Qëndrueshme” në Afganistan.
Gjatë karrierës së tij, ai ka mbajtur poste të rëndësishme drejtuese në strukturat ushtarake amerikane, përfshirë edhe funksionin e ndihmësit ushtarak kryesor të Sekretarit amerikan të Mbrojtjes. Wendt ka komanduar njësi të forcave speciale në nivele të ndryshme, nga grupet operacionale deri te komandat e mëdha rajonale të operacioneve speciale.
Ai zotëron gjuhën arabe dhe koreane dhe është nderuar me një sërë dekoratash dhe vlerësimesh ndërkombëtare. Ndër to përfshihen Kryqi i Artë i Nderit i Gjermanisë për shërbimin në Afganistan, një vlerësim presidencial nga Filipinet, medalje nga Koreja e Jugut, si dhe disa nga distinktivët më prestigjiozë të ushtrisë amerikane, përfshirë ato të “Ranger”, forcave speciale, parashutistit të avancuar, sulmeve ajrore dhe këmbësorisë luftarake.
Në nëntor të vitit 2017, Wendt u emërua Koordinator i Sigurisë i Shteteve të Bashkuara për Izraelin dhe Autoritetin Palestinez, ku luajti një rol të rëndësishëm në koordinimin e çështjeve të sigurisë në një nga rajonet më të ndjeshme gjeopolitike në botë.
Me një profil të lidhur kryesisht me sigurinë dhe operacionet ndërkombëtare, emërimi i tij në Tiranë vjen në një periudhë kur marrëdhëniet SHBA-Shqipëri mbeten të fokusuara te bashkëpunimi strategjik, siguria rajonale dhe integrimi euroatlantik.