Sport
SHBA e nis Botërorin e shtëpisë me stil hollivudian, dominon 4-1 Paraguain
Shtetet e Bashkuara të Amerikës e nisën me këmbën e mbarë Botërorin e shtëpisë në Grupin D, kjo pasi mposhtën 4-1 Paraguain në ‘SoFi Stadium’ mëngjesin e kësaj të shtune me orën shqiptare.
Përpara fillimit të ndeshjes ishte rezervuar ceremonia e hapjes në eventit në tokën e SHBA-së, ceremonia e tretë kjo pas atyre në Meksikë dhe Kanada, me tre shtetet që janë bashkorganizatore të këtij turneu. Në spektaklin e muzikës, kërcimit dhe ngjyrave performuan emra si ylli i popit Katy Perry, ylli global i K-pop-it LISA, artistja nigeriane e Afrobeats, Rema, artistja braziliane e pop-it, Anitta dhe artisti i hip-hop-it, Future.
Në stadium mungoi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, por numri një i Shtëpisë së Bardhë u kujdes që të motivonte lojtarët duke i telefonuar përpara sfidës. Kamerat në stadium fokusuan disa yje të Hollywoodit dhe biznesmenë të famshëm.
NDESHJA – Që në sekondat e para miqtë e trajnerit Gustavo Alfaro ngacmuan portën e Freese, por pa sukses. SHBA-ja reagoi dhe u përgjigj me një aksion të shpejtë në minutën e shtatë, duke detyruar Bobadillan që të shënonte në portën e tij për festën e vendasve. Ky ishte autogoli i parë në këtë Botëror.
Në minutën e 28-të Balogun shënoi golin e dytë për SHBA-në, por gjithçka u anulua për pozicion jashtë loje. Tre minuta më vonë Folarin Balogun përfitoi nga një asist i Pulisic dhe shënoi golin e qetësisë për djemtë e Mauricio Pochettinos. Në shtesën e pestë të pjesës së parë, Balogun bëri heroin dhe shënoi golin e tretë për SHBA-në.
Fraksioni i dytë ishte më i qetë, me SHBA-në që administroi lojën. Në minutën e 73-të Mauricio shkurtoi shifrat për 3-1, por ekipi nga Amerika Latine nuk e kishte forcën për të rihapur ndeshjen. Në shtesën e tetë të ndeshjes, Reyna shënoi edhe golin e katërt për SHBA-në duke ‘vulosur’ tri pikët.
Në dhjetë takimet mes tyre në histori, kjo ishte përballja e dytë në Kupën e Botës. SHBA-ja dhe Paraguai ndesheshin më 17 korrik 1930, pra 94 vite përpara në Botërorin e Uruguait, i pari në histori, aty ku SHBA-ja fitonte 3-0, me këta të fundit që në atë turne u renditën të tretët në botë.