Kronike
SHBA ekstradon Sokol Hoxhën, Ambasada: Amerika nuk është strehë për autorët e krimeve
Shtetet e Bashkuara kanë ekstraduar drejt Shqipërisë Sokol Hoxhën, i dënuar në mungesë për vrasjen e dy vëllezërve Banaj në vitin 2000 dhe i dënuar gjithashtu për një vrasje të kryer në Belgjikë. Pas mbërritjes në Shqipëri, ai do të përballet me autoritetet shqiptare.
Në një reagim të publikuar në rrjetet sociale, Ambasada e SHBA në Tiranë e cilësoi rastin si dëshmi të bashkëpunimit ndërkombëtar në luftën kundër krimit dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara nuk do të shërbejnë si strehë për persona që përpiqen t’i shmangen drejtësisë duke përdorur identitete të rreme.
Sipas ambasadës, Hoxha kishte jetuar për vite me një identitet të falsifikuar, duke siguruar fillimisht status ligjor në një shtet evropian dhe më pas leje qëndrimi të përhershme në SHBA.
Autoritetet amerikane bëjnë të ditur se identifikimi i tij u realizua përmes bashkëpunimit mes Njësisë së Hetimeve Penale Ndërkombëtare të Shërbimit të Sigurisë Diplomatike (DSS), Shërbimit të Marshallëve të SHBA, ICE, Departamentit amerikan të Drejtësisë, INTERPOL-it dhe Policisë së Shtetit Shqiptar.
Sipas Ambasadës së SHBA, hetimi bëri të mundur zbulimin e identitetit të tij të vërtetë pas afro 30 vitesh, duke çuar në ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të vijojë procedurat ligjore.