Aktualitet
SHBA PËRGËZON SHQIPËRINË PËR ANËTARËSIMIN NË MARRËVESHJET ARTEMIS
Departamenti Amerikan i Shtetit ka përgëzuar Shqipërinë për anëtarësimin në Marrëveshjet Artemis, duke e cilësuar vendin një prej aleatëve më të afërt të Shteteve të Bashkuara.
Në një publikim në faqen zyrtare, Departamenti i Shtetit thekson se Shqipëria është vendi i 73-të që i bashkohet marrëveshjeve, duke u angazhuar për eksplorimin dhe përdorimin paqësor të hapësirës.
Marrëveshjet u nënshkruan më 21 shtator 2026 nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha, në emër të Republikës së Shqipërisë.
Ceremonia u zhvillua në selinë e NASA-s, Mary W. Jackson NASA Headquarters, në Uashington. Në ceremoni morën pjesë si dëshmitarë edhe zyrtarë të NASA-s dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, të cilët përshëndetën anëtarësimin e Shqipërisë.
Në deklaratën e tij, Departamenti Amerikan i Shtetit nënvizon se Shqipëria “mbetet një nga aleatët më të vendosur të Shteteve të Bashkuara” dhe se të dy vendet vijojnë të kenë një përputhje të ngushtë në çështjet prioritare dypalëshe dhe globale.
Marrëveshjet Artemis u themeluan në vitin 2020 nga Shtetet e Bashkuara dhe shtatë vende të tjera, me synimin për të vendosur një sërë parimesh për eksplorimin dhe përdorimin e përgjegjshëm dhe paqësor të hapësirës.
Me anëtarësimin, Shqipëria konfirmon mbështetjen për këto parime dhe angazhimin për zhvillimin e qëndrueshëm të aktiviteteve civile në hapësirë.
Departamenti Amerikan i Shtetit dhe NASA udhëheqin përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për promovimin dhe zbatimin e Marrëveshjeve Artemis.