Connect with us

Bota

SHBA vendos vijën e kuqe për Iranin, Rubio: Siguria e aleatëve nuk negociohet

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, deklaroi se Shtetet e Bashkuara nuk do të ndërmarrin asnjë hap që mund të cenojë sigurinë e aleatëve të tyre në Gjirin Persik gjatë negociatave me Iranin.

Gjatë një vizite zyrtare në Kuvajt, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrein, Rubio tha se Uashingtoni po konsultohet ngushtë me partnerët e tij rajonalë dhe po i përfshin ata në diskutimet që lidhen me çdo vendim të mundshëm për Teheranin.

“Ne nuk do të bëjmë asgjë që minon sigurinë e aleatëve tanë, aleatëve tanë të hershëm në rajon”, deklaroi Rubio para gazetarëve në Kuvajt.

Kryediplomati amerikan theksoi se qëllimi i vizitës së tij ishte jo vetëm të falenderonte vendet e Gjirit për mbështetjen e dhënë, por edhe të siguronte koordinim të plotë për zhvillimet që lidhen me Iranin.

“Ne duam ta përsërisim dhe të fillojmë të flasim me ta dhe t’i angazhojmë në biseda rreth çdo vendimi që është marrë në lidhje me këtë negociatë”, tha ai.

Rubio i cilësoi diskutimet me liderët e rajonit si “shumë të sinqerta, të ndershme dhe të rëndësishme”, duke shtuar se SHBA dhe aleatët e Gjirit janë në një linjë sa i përket sfidave të sigurisë në rajon. Teksa ka folur për programin raketor të Iranit, ai theksoi se Uashingtoni do të mbetet në koordinim të plotë me partnerët e tij rajonalë.

“Mendoj se jemi shumë të lidhur”, tha Rubio, duke shtuar se SHBA-të do të jenë “plotësisht të lidhura me partnerët tanë në Gjirin Persik” për çështjet që lidhen me Iranin.

Ai kujtoi se SHBA-të kanë marrëdhënie strategjike me vendet e rajonit prej dekadash, si dhe prani ushtarake dhe asete të rëndësishme në këto shtete.

Advertisement