Politike
Shehaj përplaset me policinë në protestë: Kanë nxjerrë RENEA-n të armatosur në protestë
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka mbërritur në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” gjatë protestës së sotme, ku është përballur edhe me deputetët e Partisë Mundësia, Agron Shehaj dhe Erald Kapri.
Sipas raportimeve nga vendngjarja, situata është tensionuar kur efektivët që shoqëronin Hitën kanë penguar dy deputetët t’i afroheshin drejtorit të Policisë. Gjatë përplasjes janë regjistruar edhe konfrontime fizike mes tyre dhe punonjësve të policisë.
Pas incidentit, Agron Shehaj ka reaguar për mediat, duke ngritur shqetësime për shoqërimin e të miturve dhe ndërhyrjen e forcave speciale RENEA gjatë protestës.
“Është e papranueshme të arrestohen minorenë, kanë nxjerrë RENEA-n të armatosur, përse i nxorrën? E keni parë çfarë ka ndodhur? Kanë dhunuar, gjakosur 15-vjeçarë në Komisariatin nr. 2. Drejtori nuk dha asnjë përgjigje, vetëm dhunë për të mbrojtur Edi Ramën”, deklaroi Shehaj.
Ndërkohë, deputeti Erald Kapri ka mbetur i lënduar pas hedhjes së sprajit lotsjellës në drejtim të tij. Pas incidentit, mjekët kanë ndërhyrë për t’i dhënë ndihmën e nevojshme.
Ngjarja është regjistruar në një moment kur tensionet në bulevard vijojnë të jenë të larta, në ditën e pestë të protestave në kryeqytet.
Deri më tani, pretendimet e ngritura nga Shehaj lidhur me trajtimin e të miturve në Komisariatin nr. 2 nuk janë shoqëruar në këtë raportim me një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit.