Connect with us

Aktualitet

SHEMBJA E RRUGES, SITUATA PARAQITET SHUME E RENDE

Rruga Librazhd-Pogradec vazhdon të mbetet e bllokuar, teksa situata është përkeqësuar në zonën e e quajtur ‘Arrat e Gurrës’, ku vijojnë rrëshqitjet e tokës.
NTv mëson se pritet një relacion nga Shërbimi Gjeologjik, në mënyrë që të nisë ndërhyrja.
Një nga alternativat është ndërtimi i një rruge provizore paralel me hekurudhën. Së shpejti do të mblidhet Këshilli Teknik.
Ura ka degraduar plotësisht, asfalti ka çeduar dhe duket se është i pariparueshëm. Po kështu, ka ndaluar puna për hapjen e by-pass provizor në anën e sipërme të rrugës ekzistuese, pasi jeta e punëtorëve ishte në rrezik.
Për Qeverinë, përfaqësuar në këtë rast nga ARRSH-ja, rrëshqitja është fenomen natyror shkaktuar nga shiu, por prokuroria ka dyshime se mund të jetë abuzuar nga kompanitë që po ndërtojnë korridorin e VIII. Prej se dielës kanë nisur hetimet për veprat penale “Shpërdorim i detyrës”, “Shkelje e barazisë në tenderë apo ankande publike”, “Shkatërrimi i rrugës”, “Ndotja e ajrit, ujit apo tokës”.
Lotin e shtatë të autostradës e ka fituar kompania “ANK”, kantieri i se cilës ndodhet 2 km larg vendit ku u shemb rruga ekzistuese. Po kjo kompani, në pronësi të Agim Kolës, u pa këto ditë në terren, e kontraktuar nga ARRSH-ja për hapjen e bypass-it provizor.
Qytetarët e Korçës, Pogradecit, Përrenjasit e Librazhdit për të ardhur në Tiranë duhet të lëvizin në rrugën Maliq – Gramsh, e cila jo vetëm zgjat distancën por nuk ofron siguri. Një alternative tjetër por më e mundimshme është nga Tepelena e Leskoviku. Ndërsa maunet e Maqedonisë së Veriut lëvizin nga Rruga e Arbrit.

Njoftimi i ARRSH:

Qarkullimi do të vazhdojë të jetë i bllokuar në segmentin rrugor në zonën e Arrat e Gurrës, pjesë e aksit Librazhd-Pogradec.

Ky segment, i cili pritej të hapej mesditën e sotme, ka pësuar  rrëshqitje masive toke, duke e bërë qarkullimin të pakalueshëm.

Për arsye sigurie janë tërhequr mjetet e firmës zbatuese dhe është ndaluar qarkullimi i mjeteve dhe këmbësorëve.

Aktualisht po kryhet një rivlerësim urgjent gjeologjik dhe teknik, pasi terreni paraqitet i paqëndrueshëm dhe sfidues për ndërhyrje. Ndërkohë specialistët në terren po shohim mundësinë e lëvizjes vetëm për mjete e vogla dhe të emergjencave në një rrugë në zonën përreth.

ARRSH, për t’i ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve, sugjeron përdorimin e akseve alternative si më poshtë:

Për autoveturat:

 Maliq – Lozhan – Strelc – Gramsh – Elbasan

 Qafthanë – Pogradec – Korçë – Leskovik – Përmet – Tepelenë

Për mjetet e tonazhit të rëndë:

 Pika doganore Qafë Thanë – Maqedoni – Pika doganore e Bllatës – Rruga e Arbërit

Duke kërkuar mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve dhe të gjithë banorëve të zonës, ju lutemi të ndiqni me kujdes sinjalistikën rrugore si dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

Advertisement