Connect with us

Shkrime

Shembulli që na vjen sërish nga SHBA

NGA PREÇ ZOGAJ

Hetimi i ish presidentit, Donald Tramp, ngjarja botërore e vitit pas luftës në Ukrainë, na tregon edhe njëherë, se duke qenë sponsorët më të mëdhenj të sundimit të ligjit në gjithë hapësirën e vendeve të lira, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e japin këtë shembull në vendin e tyre pikësëpari.

Nuk thonë bëni siç them unë, por bëni siç bëj unë. Në fakt fuqia e tyre ndikuese dhe frymëzuese në botë është para së gjithash fuqia e shembullit.

Ish presidenti Trump është nën një hetim të trefishtë, i dyshuar për hile dhe mashtrime financiare në biznesin e tij privat, për shkelje në trajtimin e dokumenteve të klasifikuara sekret shtetëror, gjatë kohës kur kryente detyrën e Presidentit dhe për nxitje të sulmeve të  dhunshme të ndjekësve të tij mbi Kapitol Hill në 6 janar të vitit 2021, me qëllim pengimin dhe përmbysjen e fitores së certifikuar të Presidentit Biden.

Të cilën Tramp s’ka reshtur ta konsiderojë të manipuluar,  pa sjellë asnjë provë, duke u konfliktuar me guvernatorë republikanë, me  institucione bipartizane apo të drejtësisë, që përgjigjen për rregullsinë e zgjedhjeve në SHBA.

Për dy çështjet e para ish Presidenti po hetohet penalisht. Për çështjen e tretë po hetohet nga Senati, i cili mund t’i depozitojë për ndjekje penale rezultatet e hetimit.

Hetimet nuk janë e vërteta, por rruga për të shkuar drejt saj. Janë rruga për të shkuar drejt fajësimit apo pafajësimit të të dyshuarit. Gjykata ka fjalën e fundit.  Nga kjo pikëpamje, ish Presidenti  si çdo qytetar tjetër, prezumohet i pafajshëm deri në një vendim gjykate të formës së prerë.

Përtej bujës botërore të hetimit  të tij, ajo që ka vlerë dhe interes për publikun shqiptar në këtë histori është se, në një shtet demokratik askush nuk është e nuk mund të jetë mbi ligjin. Ligji është monarku i vetëm, siç e ka pas thënë Aleksander Hamilton, njëri prej etërve themelues të SHBA-ve.

Nuk ka të  paprekshëm, nuk ka të pahetueshëm, nuk ka të padënueshëm. Mbrojta apo edhe retorika politike kundër akuzave, si ajo që po artikulon ish Presidenti Tramp, kur thotë se, kundër tij është ngritur një gjueti shtrigash e orkestruar nga kampi kundërshtar demokrat, janë një e drejtë e çdo të akuzuari, të dyshuari, të hetuari apo të gjykuari. Por ato nuk mund të pengojnë hetimin dhe gjykimin nëse do të ngrihet një akuzë.

Hetimi i Tramp na tregon edhe një herë kontrastin e madh me vendin tonë ku dhjetra e qindra akuza të rënda për korrupsion, abuzime, shkelje dhe krime zgjedhore në adresë të zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të lartë, as çohen në gjykatë, as mbyllen, por lihen pezull me vite. Vendi jeton nën një re akuzash që, ndërsa zbardhen pjesërisht ose nuk zbardhen kurrë,  e helmojnë pa pushim  jetën publike, zgjasin  pandëshkueshmërinë dhe sundimin e  bajraktarizmit politik në vend të sundimit të ligjit.

Hetimi i Tramp dhe shembujt e tjerë të ngjashëm duhet t’u shërbejnë si asnjëherë tjetër hetueseve tanë të BKH-së, prokurorëve të SPAK-ut dhe gjyqtarëve të Gjykatës Speciale të Antikorrupsionit për të guxuar më shumë e vepruar më shpejt për hetimin dhe ndëshkimin e zyrtarëve dhe ish zyrtarëve të korruptuar. Prokurorët e SPAK-ut gëzojnë sot një mbështetje dhe mbrojtje speciale, që u vjen

Por rëndësia dhe vlera historike e asaj që po shohim të ndodhë në SHBA shkon edhe më larg se kaq. Ajo është kundërpërgjigja e vendosur e demokracisë më të madhe të botës ndaj ndërhyrjeve të Rusisë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 dhe paralajmërimeve se ndërhyrje të tilla mund të përsëriten.

Ndërhyrja e vendit që nuk bën zgjedhje për të kurdisur shpërthimin e konfrontimeve zgjedhore në  vendin që i ka të shenjta ato përben një nga provokacionet e mëdha të shekullit të ri në rrafshin ndërkombëtar. Kundërpërgjigja amerikane në këtë kontekst ka qenë dhe është komplekse.

Ajo nuk kufizohet vetëm në territorin amerikan, por shtrihet në gjithë hapësirën e vendeve aleate, pra edhe në Shqipëri. SHBA kanë zhvilluar konceptin e sigurisë kombëtare komune të vendeve demokratike të botës kundër luftës hibride të Rusisë dhe shteteve të tjera autokratike a një-partiake, që investohen fuqishëm për minimin, shfunksionalizmin dhe vdekjen e demokracisë.

Pse? Sepse demokracia përbën sekretin që  shpjegon epërsinë amerikane, euroatlantike dhe familjes së kombeve të lira përkundrejt autokracive dhe tiranive lloj-lloj. Ndaj mbrojtja dhe zhvillimi i saj, si ndërveprim i zgjedhjeve të lira, konkurrencës së lirë me rregulla loje, lirive e të drejtave njerëzore, ndarjes demokratike të pushteteve dhe sundimit të ligjit, është mision. Në këtë sfidë globale, Shqipëria e ka fatin të jetë e të mbetet në një gjatësi vale me partnerët e saj perëndimorë.

 

Shkrime

Precedenti Benet Beci, si lakmus për sondazhet politike

Nga Ylli Pata

Sondazhet që kur janë krijuar si një zhvillim i rëndësishëm në politikën botërore, janë kthyer në një instrument të rëndësishëm. Që mat mbi të gjitha temperaturën e perceptimit të përgjithshëm të popullsisë, duke përdorur kampionë statistikor, sipas një metode shkencore tashmë të konsoliduar.

Edhe në Shqipëri, kemi vite tashmë që sondazhet janë kthyer në një instrument që vlejnë për të analizuar në vija të trasha trendin e elektoratit. Megjithatë herë pas sondazhet përpara apo ditën e zgjedhjeve kanë krijuar konfuzion, pikërisht sepse nuk ja kishin qëlluar një leximi, që nuk është aq i thjeshtë aq sa duket.

Siç po del edhe sondazhi mujor në lidhje me perceptimin politik të ndarjes së preferencës mes forcave të opozitës.

Siç u bë e ditur nga sondazhi i përgatitur nga Zaloshnja në Report TV, Foltorja e Berishës ka një preferencë më të madhe sesa PD e Bashës, e cila është në kuota mjaft të ulëta, as 3 përqind.

E vërtetë? Kjo shifër nuk rezonon as rezultatin që PD ka marrë në zgjedhjet lokale te 14 majit 2023, ku arriti mbi 100 mijë vota në rang kombëtar, edhe pse u ndalua nga ish-numri dy Gaz Bardhi për të hyrë me kandidatë për kryetarë bashkie në shumicën e njësive.

Duke u nisur nga ky fakt, pra mos leximi i perceptimit të votave që mund të ketë PD-ja e Bashës në raport me votat e 14 majit, shtyn tek një qasje pak më ndryshe.

Qasje, e cila mund të ketë si analogji pikërisht zgjedhjet e 14 majit 2023. Kur thuajse të gjithë sondazhet e zhvilluara përpara zgjedhjeve, nuk e lexonin fitoren e qartë të Benet Becit.

Ndërkohë që kryebashkiaku aktual i Shkodrës dhe stafi i tij, kishin një sondazh më të thelluar që i jepte indicjen e një fitoreje, sondazhet e tjera linearë jo. Madje kishte disa prej të cilëve që e lexonin perceptimin publik si fitore e padyshimtë e Bardh Spahisë, kandidatin e foltores për kryetar bashkie në Shkodër.

Në fund, Benet Beci korri një fitore që ishte as e minutës së fundit, as e ngushtë fare. Ishte kapilare nga çdo qendër votimi në thuajse gjithë territorin e bashkisë në Shkodër. Po përse nuk e lexuan këtë rezultat sondazhet lineare?

Ka shumë pikëpyetje, por ajo që vjen si e dhënë nga territory, është se mjaft nga qytetarët që votuan Benet Becin ishin votues të PD-së ndër vite. Votë, e cila nuk ishte një qëndrim politik për PS-në, por një verdict me dy gishta, ku njëri ishte anti e tjetri pro.

Anti koalicionit të Sali Berishës dhe Ilir Metës dhe pro një kandidati, i cili paraqiti një ide, program alternativ dhe një narracion krejt ndryshe për Shkodrën.

Sipas të gjitha gjasave, Benet Beci ka marrë një uragan votash të djathta. Të cilat, nuk dolën e nuk kanë dalë më pas në sondazhe. Sepse jemi në një situatë kaotike në qerthullin opozitar.

Ndërsa logjika e perceptimit pro foltores është më shumë një indicie që vjen nga lart, nga televizionet, emisionet, rrjeti e gjëra të tilla, të cilat përkthyer në një ekuacion më specific brenda opozitës, nuk se kthehet. Siç nuk u kthye në Shkodër, Tropojë, apo edhe Kukës.

Megjithatë ky “shpirt” i një qëndrimi politik që realisht jo vetëm që ekziston por është i fortë, duhet organizuar. Deri më sot, kjo pjesë e elektoratit nuk kanë vendosur që të votojnë për kë. Ndaj janë rrështuar në 34 përqindëshin e atyre që nuk do të votojnë. Por ka një qasje të qartë; ata nuk votojnë për Sali Berishën dhe Ilir Metën.

Por për kë do të jenë të gatshëm të japin votën siç bënë më 14 maj 2023? Në një profil të ri siç ndodhi me Benet Becin! E këto nuk janë elektorat gri, por një arqipelag votash i pastër i së djathtës. i gatshëm për tu hedhur në aksion, nëse PD e Lulzim Bashës del me emra dhe mbiemra, e natyrisht me ide të qarta, por shpejt.

Ndryshe nuk është çudi që të votojnë edhe për PS, apo ku i dihet ndonjë propozimi të ri që del rrugës, por kurrë dyshen e vjetër.

E ka treguar 14 maji! Mjafton të lexosh atë votë për të parë se çfarë ndodhi, e thuajse i gjithë ky komunitet është një fuqi politike e nivelit të lartë që kërkon ndryshim real, e nuk pranon të mbahet peng e gënjehet.

Continue Reading

Shkrime

Ilir Meta arrestohet në fundjavë?

Nga Ardit Rada

Ilir Meta është shfaqur i qetë në daljet e fundit mediatike duke përcjellë një imazh krejt të ndryshëm nga ai që kishte vulosur prej javësh. Tani, njeriu që kishte gjetur shpëtim te sustat dhe paralelet, na duket me luhatje mendore kur e shohim si politikan mbi palët. Po aq i pasinqertë në sjellje dhe ato që thotë, saç paska qenë edhe me sportin dhe sulmet ndaj drejtësisë.

Mbrëmjen e së enjtes kryetari i Partisë së Lirisë (lexojeni gjithë jetën LSI) u distancua nga revanshi kundrejt SPAK duke u zbutur se e kishte personale me Altin Dumanin. Meta tha se s’kishte në plan të arratisej nga vendi, nëse ndaj tij do të kishte një urdhër kufizimi lirie.

Lajmi i keq është që Ilir Meta e sheh ende veten në kushtet e njeriut me pushtet që detyrimisht do ta marrë vesh i pari nëse do të arrestohet. Me pak fjalë, ai ka në dorë të çajë rrjetën e amerikanëve kur të dojë, por s’do ta bëjë për hir të së vërtetës që mbart (?!). Ai e mendon ende veten në kushtet kur deklaronte se nga vila e Lalëzit do të shënjestronte kryqëzorët e SHBA-ve derisa të binte heroikisht si Mujo Ulqinaku e të tjera lajthitje me radhë. E tmerrshme kur e mendon se s’ka kuptuar asgjë nga majat e pushtetit ku ka qenë, se edhe për 1 cigare hashash të kapur në Kukës lajmi shkon më parë në Uashington sesa në Tiranë.

Lajmi i mirë është që ai s’e mohon se mund të arrestohet dhe s’e mohon që nuk mund të arratiset. Çka tregon se askush s’e pret jashtë këtyre kufijve, duke konfirmuar atë që dimë prej kohësh për të dhe Sali Berishën. Që në 11 vitet e fundit i ka pritur veç Azerbajxhani dhe s’u ka ardhur askush nga Perëndimi as për ‘kryeshnosh’ e jo më për kauzat e tyre në opozitë. Perëndimin e kanë parë veç në rastet kur njëri shkonte te mbesa privatisht në Mynih dhe tjetri me të shoqen po privatisht shkojnë te fëmijët në Londër. Atje pastaj kuptohet se frymëzohen nga mjerimi ku jetojnë fëmijët e tyre, mendojnë sakrificat sesi ua përballojnë jetesën, njëri me lekët e vajzës që ka punuar para 25 vjetësh në Kosovë e që s’paskan fund, e tjetri me lekët e vjehrrës latifondiste dhe kthehen pastaj këtu për të vënë kujën për shpopullimin.

Sot, Ilir Meta dhe Sali Berisha po e shfrytëzojnë kredon politike veç për të shpëtuar veten nga drejtësia dhe këtë e zbardh drita e diellit aq sa po na verbon. Ata bëjnë sikur nuk e kuptojnë që shumica e popullit është dakord që të dy të mbyllen mundësisht te ‘7 penxheret’ e Gjirokastrës se burgu i Reçit ofron luks të madh për ta. Dhe kjo shumicë është shumë më e madhe sesa ajo që voton Edi Ramën. Është shumica e çdo sondazhi që e nxjerr SPAK institucionin më të besuar në vend me mbi 73% mbështetje popullore edhe pas arrestimit të Berishës, edhe pas lajmeve për arrestimin e Metës. Sigurisht kjo shumicë s’është organ akuze që të sigurojë prova, por kur dikush i autorizuar ta bëjë këtë rol, kjo shumicë është kail më shumë të protestojë për mbijetesën e rinocerontit të Xhavës sesa për të nxjerrë këta të dy nga qelitë. Ndaj edhe luftën e kanë përqendruar te drejtësia se po shkoi puna gjer te qelia, do t’u hidhen çelësat në det e s’ka burrë nëne t’i gjejë më.

Të ndodhur në këto kushte Berisha dhe Meta e kanë thelluar garën me njëri-tjetrin deri ditën e zgjedhjeve, si garanci se fituesi i ri brenda opozitës gëzon a-priori edhe një farë imuniteti. Ilir Meta i ka çuar një mesazh Sali Berishës se në datë 27 Prill pas Konventës së çetës së tij politike, do t’i çojë poshtë ballkonit mijëra njerëz. Kjo do të thotë se mijërat e Ilir Metës që do t’i gjezdisi nëpër Tiranë gjer të rruga ‘Mustafa Matohiti’ është një tregues force ndaj vetë Sali Berishës. Një, si të thuash, tregues se: Tani që ti ngele brenda prej mendve të Genc Gjokutajt, anëtarit të Kryesisë së partisë time, unë jam lideri i opozitës. Mijërat e mi janë më shumë se dhjetërat e tu që të mblidheshin poshtë dritares deri ditën e Bajramit. 

Por s’ka asnjë shqetësim publik për këto mesazhe mes të njëjtit lloj kur mendon se këtë sjellje pati edhe Berisha ndaj Bashës, Bardhi ndaj Nokës, Kokalari ndaj Këlliçit e kështu me radhë. Pra një shfaqje e vjetër me regji po aq të vjetër. Mesazhet makiaveliste janë të vetmet gjëra që qeveria e bllokut të 21 Janarit ofron pa lekë.

Sot, shqetësimi i vetëm është se, a do ta zejë e shtuna e 27 Prillit Ilir Metën jashtë? SPAK arreston fundjavave, siç tha Milaim Zeka dje. Po se cilën fundjavë e dinë ata matanë Atlantikut që e duan Shqipërinë më shumë se Saliu dhe Iliri. Pavarësisht se i kanë çuar fëmijët jashtë, si për të mos i bërë më shumë zullume këtij vendi!

Continue Reading

Shkrime

Gjermania shpall miqësinë e çeliktë me Kosovën, flet emisari Sarrazin

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një intervistë, tha se shteti që ai përfaqëson nuk e ka përmendur asnjëherë që themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të jetë një ndër kushtet për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sarrazin u pyet për qëndrimin e Gjermanisë përsa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, posaçërisht mbi sugjerimet e diskutuara javëve të fundit që avancimi drejt Asociacionit i Komunave me Shumicë Serbe do të jetë kusht për Kosovën në prag të vendimmarrjes së ministrave të jashtëm për anëtarësimin e vendit.

“Duhet të rrëfej se s’mund ta ndjek vërtet argumentimin e Serbisë. Së paku për palën gjermane, mund të them se kriteret e përmendura nga Serbia nuk janë publikuar asnjëherë si kriteret tona për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, theksoi Sarrazin, teksa shtoi se Kosova – megjithatë – duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Në përgjithësi, situata rreth minoriteteve në Kosovë është shumë relevante”. – tregoi Sarrazin, dhe kujtoi se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është obligim i Kosovës që rrjedh nga cikli i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme evropiane. Sarrazin potencoi se Gjermania përkrah Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës, porse i mbetet Kosovës të bëjë “gjithçka” për t’i bindur shtetet anëtare.

“Ne qëndrojmë pas idesë për ta afruar Kosovën me Evropën, që do të thotë edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Por vendimi në fund do të jetë i Këshillit të Ministrave dhe është thelbësore që Kosova të bëjë gjithçka që mund të bëjë për të bindur një shumicë të gjerë të shteteve anëtare.

Sidomos të drejtat e pakicave janë një temë kyçe për Këshillin e Evropës” – potencoi Sarrazin.

Shtetet e QUINT-it – Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – dëshirojnë të shohin lëvizje reale drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, posaçërisht dërgimin e draft-statutit për këtë mekanizëm për serbët në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës përpara se vendet të bien dakord për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Sarrazin, ka komentuar gjithashtu veprimet që Serbia ndërmori për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe tha se ato s’ishin në frymën e Marrëveshjes së Ohrit që u dakordua mes Beogradit dhe Prishtinës vitin e kaluar.

“Ka një zotim të qartë në marrëveshjen e Ohrit: Serbia nuk duhet ta ndalojë Kosovën të hyjë në organizatat ndërkombëtare. S’po shoh që veprimet aktuale të Serbisë janë në përputhje me tekstin apo frymën e marrëveshjes” – ka deklaruar Sarrazin.

Para votimit përfundimtar në Komitet të Ministrave për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Europës, emisari tha se Gjermania i qëndron pas idesë për ta afruar Kosovën me Europën.

“Kemi ndjekur me vëmendje zhvillimet në Asamblenë Parlamentare dh ne, natyrisht, marrim parasysh vendimin e Asamblesë Parlamentare në diskutimet tona. Ne jemi miq dhe përkrahës të fortë të Kosovës dhe qëndrojmë pas idesë për ta afruar Kosovën me Europën, që nënkupton edhe anëtarësimin në Këshillin e Europës. Por vendimi në fund do të jetë i Këshillit të Ministrave dhe është thelbësore që Kosova tani të bëjë gjithçka që mund të bëjë për të bindur një shumicë të gjerë të shteteve anëtare. Sidomos të drejtat e pakicave janë një temë kyçe për Këshillin e Europës” – theksoi emisari Sarrazin.

Përfaqësuesi i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin, tha gjithashtu se rezoluta për Srebrenicën nuk ka problem me Serbinë, Republikën Srpska apo ndonjë shtet, entitet apo grup tjetër, por me krime dhe gjenocid të kryer në Europën Perëndimore.

Ai ka theksuar për portalin Ballkan, se teksti i rezolutës është i drejtuar kundër veprimeve si mohimi dhe glorifikimi i gjenocidit dhe se Rezoluta nuk përmend asnjë vend apo ndonjë grup në veçanti.

“Gjermania bashkë-sponsorizoi këtë rezolutë së bashku me Ruandën dhe një numër vendesh të tjera anëtare të OKB-së. Ne jemi globalisht dhe në çdo kohë të përkushtuar për të parandaluar gjenocidin. Është me rëndësi të madhe për ne ruajtja e kujtimit të tmerreve të Holokaustit. Kjo është arsyeja pse ne jemi gjithashtu të përkushtuar për të mprehur kujtesën e gjenocideve të tjera të njohura ndërkombëtarisht” – deklaroi emisari Sarrazin, duke shtuar se 11 korriku 2025 shënon 30 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë që ndodhi në vitin 1995.

“Ngjarja është vërtetuar historikisht dhe ligjërisht dhe është klasifikuar si gjenocid nga gjykata të pavarura ndërkombëtare dhe autorë me emra të përveçm edhe janë dënuar. Me këtë veprim ne do nderonim të vrarët e pafajshëm” – potencoi Sarrazin

Continue Reading

OPINION

Ilir Metën nuk e shpëton dot Sari Salltiku as Baba Tomorri!

Nga Azgan Haklaj

Në tmerrin që e dominon, i vetëdijshëm për abuzimet korruptive përsonale, familjare e kolektive që ka kryer në tre dekada, pikërisht në sajë të pushtetit Ilir Meta po reagon në forma diverse.
E përbashkëta e të gjithë reagimeve që kur ka marrë sinjalin e qartë se nuk ka shpëtim ndonëse herë qesharake e herë agresive është tentativa e fundit për të fituar kohë.
Por në fakt qetësia e SPAK-ut dhe mbështetësve të tij euroatlantikë, ekzaminimi i gjithë familjarëve dhe bashkëpunëtorëve të tij ndër vite tregon se nuk po hetohet gjurma por është rrethuar vetë ujku.
Ndërrimi i emrit të LSI-së si paradoks pikërisht kur integrimi është kryefjalë nacionale apo shpikja e presidencës dhe konventave.
Trukimi për nepotizëm e tradhëti nuk janë asgjë përveçse fantazi me sy mbyllur e gomarit që ka ujkun në prapanicë e mendon ta kthejë në ëndërr.
Askush nuk i beson, as ata që bashkëjetuan politikisht me të.
Dhe marrëzia deri në neveri qëndron në
lajmin “bombastik” që filloi ta mediatizojë se pas konventës do i bashkohet “myhybëve” të Sali Berishës pikërisht poshtë çatisë së një kulle korrupsioni ku e kanë ngujuar.
E për ta veshur me patriotizëm karshillëkun që guxon ti bëjë drejtësisë dhe SHBA-ve filloi të këndojë këngën “O moj Serbi murin ta prisha se mua m’thonë Sali Berisha”.
Sa për dijeni Sali Berisha e Ilir Meta jo vetëm nuk prishën murin e Serbisë por u bënë tullë në murin e saj duke thyer embargon ndërkombëtare kundër saj pikërisht në kohën e genocidit masiv serb kundër popujve të Ballkanit.
Të ishte për Sali Berishën Kosova nuk do të
ishte kurrë shtet sovran dhe UÇK-ja do ishte organizatë terroriste.
Të ishte për Ilir Metën nuk do bëhej negociator në mos përfitues i instalimit të
fluturimeve të “Air Serbia” në vendin tonë.
Kur shumë dokumente do të deklasifikohen nga aleatët atëherë do të dalë e vërteta e trishtueshme e rolit të tyre për Kosovën dhe çështjen kombëtare.
E sikundër nuk mundet të stopohet një
mendje e çartur politike dhe njerëzore Ilir Meta ka filluar të materializojë hapin e fundit të dëshpërimit për të krijuar popullaritet të
rremë sikundër një tentativë “reflektimi” të një mëkatari sistematik.
Ka filluar me truket e uniformës jeshile të “Celtik” duke u munduar ta identifikojë me simbolin e bektashinjëve Sari Salltik Baba.
Ky vegim i rremë i mbështetur në deformacione mentale ka brenda një veprim jo të një besimtari por të një horri që aksionit të vet kërkon ti veshë kostum religjioz.
Ilir Meta si përfundim po kurthohet në praqet e veta.
E tani fundi do të jetë shkelqimi i prangave të drejtësisë në duart e tij në vend të hekurave në palestra luksoze.
Atë nuk e shpëton dot Sari Salltik Baba, as baba Saliu, as baba Tomorri.
Për çunin e pazarit të ri do të flasë drejtësia njerëzore dhe hyjnore.

Continue Reading

Shkrime

Pse u trondita nga dokumentari i RAI3

Nga Arlind Qori
Emisioni Report i transmetuar dy ditë më parë në kanalin e tretë të televizionit publik italian na tha pak të reja, në kuptimin e informacioneve që nuk ishin bërë më herët publike në Shqipëri. Prapëseprapë ka arritur të tronditë jo vetëm opinionin publik në Shqipëri, por edhe qetësinë e Edi Ramës dhe enturazhit të tij. Arsyen kryesore duhet ta kërkojmë në mënyrën se si është strukturuar ligjërimi politik në Shqipëri në 33 vitet e fundit dhe si është ndërtuar legjitimiteti i atyre që na sundojnë. Për shkak të izolimit të mëhershëm, por edhe nevojës për të pasur një pikë të largët dhe hamendësisht të paanshme referimi, në ligjërimin politik shqiptar është ndërtuar një Tjetër i Madh, verdikti i të cilit ndan shapin nga sheqeri në debatet e brendshme politike. Ky Tjetër i Madh mund të jetë një organizatë e shtet perëndimor, si p.sh. Bashkimi Evropian apo SHBA, por edhe figura me autoritet politik e intelektual ose mjete të informimit publik.
Çka e bën tronditës për Ramën dhe të tijtë është se të vërtetën për lidhjet e qeverisë së tij me nëntokën mafioze nuk e thanë kundërshtarët e tij të zakonshëm politikë, por një media evropiano-perëndimore, një nga televizionet me reputacionin më të lartë në Itali e më gjerë. Ai vetë i njeh lidhjet e qeverisë së tij me krimin e organizuar, me mënyrën si pastrohen paratë në kullat e Tiranës dhe hotelet e bregdetit, si financohen mediat kryesore të Tiranës dhe fushatat e partive të vjetra politike. Edhe ne e dimë. Madje edhe ai (Rama) e di që në e dimë. Prapëseprapë sa kohë loja e dijes si tekst dhe nëntekst zhvillohet brenda gardhit kombëtar, ai mund të pretendojë se asgjë e jashtëzakonshme nuk ka ndodhur, duke shpresuar se mohimi i faktit të lakuriqtë do ta bëjë popullin të vërë në dyshim shqisat e veta. Po ja që vjen një moment që mbretit lakuriq, përpara popullit që ka nisur të dyshojë në sytë e vet, i del përpara një fëmijë (RAI 3) që ia prish magjinë duke ia thënë të vërtetën e madhe në sy: shteti që ke ndërtuar është i përshkuar fund e krye nga logjika mafioze, duke nisur nga bashkëpunëtori yt më i ngushtë në Këshillin e Ministrave.
Mbrëmë e sot Rama dhe sejmenët e tij janë orvatur të hedhin dyshime mbi seriozitetin e gazetarëve të RAI 3 dhe t’i konsiderojnë këta të fundit si pazhdaranë të luftës së brendshme për pushtet në Itali. kush e ndjek jetën politike e gazetareske në Itali e di mirë se Reporti i RAI 3 ka reputacionin si emisioni më i mirë investigativ në Itali, i përbërë nga një trupë gazetareske për t’u marrë shembull jo vetëm në Shqipëri, por nga shumë vende të tjera të Evropës. RAI 3, gjithashtu, mbahet ende si televizioni kombëtar më pak komercial i Italisë, ku investigimet serioze dhe mendimi i kultivuar peshojnë më shumë se skupet dhe taktikat e pista për të fituar audiencë. I vetëdijshëm për këto, Rama me shokë po tentojnë dëshpërimisht të përhapin sa më shumë tym, duke e trajtuar RAI 3 si të ishte Syri Tv dhe gazetarët e Reportit si të ishin Çim Peka. Jo, zotëri! Janë vite dritë larg njëri-tjetrit dhe pikërisht kjo është ajo që të bezdis sa më s’ka.
Çfarë na tha emisioni Report? Afërmendsh, pjesa më e rëndësishme e emisionit kishte të bënte me Italinë dhe aspektet jologjike dhe diskriminuese të marrëveshjes Meloni-Rama për refugjatët. Boshti lidhës i emisionit ishte e vërteta e thënë nga një prift italian i angazhuar për të drejtat e refugjatëve: “Soldi buttati al mare” (Para të hedhura në det) për rreth 800 milionë eurot që do të harxhojë shteti italian për menaxhimin e flukseve të refugjatëve në Shqipëri. Për të kuptuar se kush po i bëhet urë qeverisë Meloni për të menaxhuar marrëdhëniet me publikun, më shumë se çështjen e refugjatëve, gazetarët e RAI 3 nisin të përshkruajnë bëmat e gjithëditura dhe elementë të sapodalë në sipërfaqe të qeverisë Rama dhe ndihmësve të tij.
Emisioni i kushton një pjesë deklaratave të biznesmenit Becchetti, i kërkuar nga drejtësia shqiptare dhe njëkohësisht fitues i një arbitrazhi ndërkombëtar përballë shtetit shqiptar, i cili për pehlivanllëqet e Edi Ramës i detyrohet tashmë atij një shumë prej 135 milionë eurosh. Strategjia e Becchetti-t, për të cilën deklaron se do të kërkojë ndihmën e autoriteteve gjyqësore italiane, është që paratë që shteti shqiptar nuk po ia jep t’i marrë duke vënë dorë mbi shumën prej rreth 100 milionë eurosh që shteti italian do t’i akordojë Shqipërisë për menaxhimin e refugjatëve. “135 milionë eurot e Italisë janë të miat.” – e mbyll ai, duke harruar se në fakt ato miliona euro janë të popullit shqiptar, i cili për shkak të Edi Ramës mund të privohet nga një numër i konsiderueshëm shkollash dhe shërbimesh publike.
Po nëse pretendimet e Becchetti-t do t’i zgjidhë gjykata italiane dhe strukturat e arbitrazhit ndërkombëtar, ne, shqiptarëve, na mbetet të jetojmë edhe për pak kohë nën thundrën e një qeverie që i ka zhbërë kufijtë midis institucioneve publike dhe organizatave mafioze. Ish-prokurori i antimafias italiane Francesco Mandoi, njëherësh këshilltar i Edi Ramës për disa kohë pikërisht për luftën kundër krimit të organizuar dhe mafias, theksoi me forcë disa herë se jo vetëm që emërimi i tij si këshilltar ka qenë thjesht propagandistik, pasi nuk është pyetur asnjëherë, por edhe se “mafia shqiptare ka përfaqësues brenda institucioneve dhe është e aftë të ndikojë qeverinë.” Sikur të mos mjaftonin akuzat e Mandoi-t, gazetari i Reportit iu drejtua edhe prokurorit më të rëndësishëm të antimafias italiane – deri dje në krye të prokurorisë së Katanzaros si hetues i Ndragheta-s, sot në krye të prokurorisë së Napolit për të luftuar Camorra-n – Nicola Gratteri. Përveçse me gjasë prokurori më i fortë i antimafias evropiane, Gratteri është edhe një personazh publik me reputacion të lartë, të cilit nuk ia bën syri tërr për t’iu kundërvënë njerëzve të pushtetshëm në Itali kur vjen puna te legjislacioni dhe mjetet për të luftuar siç duhet mafian. Pikërisht Gratteri, i pyetur për mafian shqiptare, përsëriti për të panumërtën herë faktin se mafia shqiptare është tejet e fuqishme (në disa vende e dyta për nga fuqia pas Ndragheta-s) pikërisht sepse niset e fuqishme nga vendi i vet i origjinës për shkak të institucioneve publike të kapura e të korruptuara. Pra mafia shqiptare ka një bazë të fuqishme sepse ka në xhep pushtetin politik, çka i mundëson të operojë e pashqetësuar në Shqipëri, të pastrojë një pjesë të parave në sektorin imobiliar në vend, dhe kësisoj të konkurrojë fort me organizatat kriminale të Evropës e më tej.
Sidoqoftë risia e mirëfilltë e emisionit Report ishte hulumtimi i marrëdhënieve të Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave dhe një prej njerëzve më të besuar të Edi Ramës, Engjëll Agaçit, me nëntokën kriminale shqiptare. Sipas Reportit, Agaçi, dikur avokat i anëtarëve të organizatave mafioze shqiptare në Itali, ishte i lidhur me një përfaqësues tejet të dyshimtë të Interpolit italian me punë në Shqipëri për disa vite, Fabrizio Lisi, fondacionin e të cilit e kishte ndihmuar që të hynte në kontakt me një të dyshuar si narkotrafikant në Vlorë, të quajtur Artur Shehu, i cili i paskësh dhuruar fondacionit të Lisit 30.000 metra katrorë plazh në Shqipëri. Artur Shehu, sipas investigimit të Lindita Çelës të botuar në mars të 2021 në OCCPR (Organized Crime and Corruption Reporting Project), dyshohet fort jo vetëm si një prej narkotrafikantëve më të fuqishëm në Shqipëri, por edhe si një njeri i cili përmes mashtrimeve dhe korrupsionit ka arritur të përvetësojë troje në zona me potenciale të mëdha turistike në Vlorë, duke shpronësuar pronarët e vërtetë të atyre trojeve. Sipas Reportit, pikërisht Agaçi ka qenë ndërlidhësi i funksionarit të policisë italiane Lisi me narkotrafikantin shqiptar Shehu. I njëjti Agaç është përfolur disa herë në Shqipëri si strumbullar i skandalit korruptiv të inceneratorëve, për të cilën është thirrur edhe nga SPAK-u. Me sa duket, Agaçi ka funksionin e një Taulant Tushe të kryeministrisë, dikush midis eminencës gri dhe Mon Kukaleshit të punëve të pista të shefit të tij dhe të keqes sonë të quajtur Edi Rama.
Continue Reading
Advertisement

TRENDING