✦
Thinking ...
Connect with us

Shkrime

SHISH NË QENDËR TË STUHISË/ THRILLER SPIUNAZHI” ME JEHONË NË NATO

Një dosje që nis me tenderët e teknologjisë, kalon te krimi i organizuar dhe përfundon në zemër të strukturave të sigurisë së shtetit.

Kështu e përshkruan Center for Western Balkans Studies çështjen që ka përfshirë AKSHI-n, Policinë e Shtetit dhe SHISH-in, në një analizë të përshtatur.

Në qendër të saj është rasti i drejtoreshës së SHISH, Vlora Hyseni, e cila, sipas vendimit të Gjykatës së Posaçme të publikuar nga SPAK, më 21 shtator 2026 u pezullua nga detyra dhe u vendos në arrest shtëpie, nën dyshimin për ndihmë ndaj një personi që ka kryer një krim dhe për zbulim të akteve apo të dhënave sekrete.

Analiza e lidh këtë zhvillim me atë që njihet si “rasti AKSHI” – një hetim që nisi mbi dyshime për manipulim të tenderëve të IT-së, por që, sipas materialit, u zgjerua drejt lidhjeve të dyshuara mes biznesit, institucioneve shtetërore, strukturave të zbatimit të ligjit dhe inteligjencës.

Sipas materialit, në dosje përfshihen 19 tenderë me vlerë rreth 59 milionë euro, ndërsa kompania EA Solution, e lidhur me biznesmenin Ergys Agasi, rezulton të ketë përfituar rreth 29 milionë euro nga tenderët e fituar në periudhën dhjetor 2024–shtator 2025.

Por hetimi merr një tjetër dimension kur në analizë përmendet rrëmbimi i një bashkëpronari të një kompanie teknologjike në gusht 2025. Sipas materialit, personat që e rrëmbyen u paraqitën si oficerë të BKH-së dhe e kërcënuan që të tërhiqte ankesat lidhur me tenderët e AKSHI-t.

Më tej, analiza përshkruan dyshime për përfshirjen e individëve nga strukturat e zbatimit të ligjit. Në qendër del sërish Ergys Agasi, për të cilin materiali thotë se u arrestua më 26 gusht në Durrës, ndërsa hetimi ka ngritur dyshime se ai kishte shmangur arrestimin për një periudhë të gjatë me ndihmën e individëve brenda policisë dhe shërbimit të inteligjencës.

Pika më sensitive e dosjes është SHISH-i.

Sipas analizës, gjatë kontrollit të automjetit të Agasit më 22 korrik u gjetën nëntë faqe me diagrame të klasifikuara të SHISH. Po ashtu, materiali pretendon se nga të dhënat e telefonave të sekuestruar janë evidentuar komunikime që lidhen me mbledhje të mbyllura qeveritare dhe të institucioneve ligjzbatuese.

Kur u mor në pyetje më 18 shtator, Hyseni, sipas materialit, deklaroi se Agasi mund të kishte qenë “bashkëpunëtor i klasifikuar i SHISH”. Prokuroria, megjithatë, e ka kundërshtuar këtë version, duke thënë se nuk rezulton që ndonjë autoritet të ishte informuar për një informator të tillë.

Në analizë ngrihen gjithashtu pikëpyetje mbi historikun e emërimit të Hysenit në krye të SHISH dhe mbi disa pretendime të vjetra për një vizitë të dyshuar në Beograd. Por vetë materiali thekson se këto pretendime janë kundërshtuar në vitin 2023 nga Faktoje dhe nga një përgjigje zyrtare e SHISH. Po ashtu, analiza nënvizon se, deri në shtator 2026, procedurat penale të SPAK-ut nuk përmbajnë të dhëna që tregojnë transferim informacioni në Serbi.

Dhe këtu dosja kalon nga një çështje shqiptare në një shqetësim me dimension ndërkombëtar.

Center for Western Balkans Studies ngre pikëpyetje për pasojat në marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n.

Arsyeja është se Vlora Hyseni, sipas analizës, në vitin 2025 ka drejtuar Komitetin e Inteligjencës Civile të NATO-s. Autorët vlerësojnë se akuzat e profilit të lartë mund të ndikojnë në perceptimin e besimit ndaj shërbimit shqiptar të inteligjencës dhe ngrenë si mundësi që aleatët të rishqyrtojnë nivelin e informacionit operacional që ndajnë me Shqipërinë.

Analiza e sheh gjithashtu çështjen si një provë për sistemin shqiptar të drejtësisë dhe antikorrupsionit, veçanërisht për aftësinë e institucioneve për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin e dyshuar edhe kur ai prek struktura të sigurisë.

Në përfundim, autorët argumentojnë se rasti mund të detyrojë autoritetet shqiptare të rishikojnë politikën e personelit në sektorin e sigurisë dhe të forcojnë mekanizmat për mbrojtjen e institucioneve nga ndikimet private apo kriminale.

Një dosje që nisi me tenderë IT, kaloi te biznesi, policia dhe krimi i organizuar, dhe tashmë prek edhe zemrën e inteligjencës shqiptare dhe marrëdhënien e saj të besimit me aleatët e NATO-s.

Advertisement