Kronike
SHKAK NJE FEMER/ DETAJE TE REJA NGA VRASJA NE KSAMIL
Detaje të reja dalin nga ngjarja e rëndë e ndodhur në orët e para të mëngjesit në Ksamil, ku humbi jetën një turist francez rreth 20 vjeç.
I riu, i identifikuar si Miguel Mendes, dyshohet se është goditur disa herë me thikë gjatë një konflikti, ndërsa autoritetet kanë identifikuar si autor të dyshuar 29-vjeçarin Sokrat Vata, banues në Has, i cili vijon të jetë në kërkim.
Sipas burimeve të cituara për gjendjen e trupit në morgun e Sarandës, 20-vjeçari kishte marrë disa goditje me thikë në shpinë dhe në kraharor, ndërsa vdekja dyshohet se ka qenë e menjëhershme.
Ngjarja ndodhi rreth orës 05:15, në zonën e plazhit, përpara një lokali në Ksamil. I riu francez u gjet pa shenja jete në shezlongët e plazhit.
Sipas hetimeve paraprake, gjithçka dyshohet se ka nisur pas një konflikti për motive që ende po hetohen. Burimet bëjnë me dije se një femër mund të ketë qenë shkak i përplasjes mes viktimës dhe autorit të dyshuar, por kjo pistë mbetet ende objekt i hetimit.
20-vjeçari ndodhej në Ksamil së bashku me një grup turistësh francezë, të cilët kishin ardhur në Shqipëri për pushime.
Ndërkohë, 29-vjeçari Sokrat Vata, i identifikuar nga Policia si autor i dyshuar, mësohet se ishte i punësuar si roje plazhi pranë hotelit ku qëndronin turistët.
Pas ngjarjes, Vata është larguar nga vendi dhe vijon të jetë në kërkim. Shërbimet e Policisë kanë ndërmarrë kontrolle për lokalizimin dhe arrestimin e tij.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa po verifikohen edhe marrëdhëniet mes personave të përfshirë dhe motivi që çoi në konfliktin fatal.
Deri në përfundimin e hetimeve dhe vendimin e organeve të drejtësisë, Sokrat Vata konsiderohet autor i dyshuar, ndërsa përgjegjësia e tij penale duhet të përcaktohet nga drejtësia.