Politike
Shkarkimi i Çuçit/ VOA: Bëhet Ministri i katërt që është shkarkuar nga Rama
Kryeministri Edi Rama shkarkoi të shtunën ministrin e Punëve të Brendshme Bledar Çuçi, dhe pritet të propozojë në këtë post kryetarin e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Zoti Rama njoftoi përmes Twitter-it se do t’i zyrtarizojë këto propozime të hënën pranë Presidentit të Republikës.
Ai nuk dha ndonjë hollësi më shumë mbi arsyet e shkarkimit, madje ashtu si edhe herë të tjera, vlerësoi zotin Çuçi “për punën e tij si gjithnjë korrekte edhe në këtë detyrë”.
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Demokratike të opozitës, Gazment Bardhi, e lidhi shkarkimin e ministrit Çuçi me ngjarjet, që ndodhën së fundi në Fushë-Krujë, ku familjarë të deputetit socialist, Rrahman Rraja, dhunuan dy shtetas në një lokal.
Ai shkroi në Twitter se shkarkimi i ministrit Çuçi ishte i merituar, por zoti Rama po e dorëzonte ministrinë e Brendshme në duart e krimit të organizuar, duke lënë të kuptohet se është kundër emrit të ri të propozuar.
“Vetëm në qeverinë e Edi Ramës ndodh që ministrat e Brendshëm të emërohen jo për të luftuar, por për të forcuar dhe konsoliduar më tej lidhjet mes krimit të organizuar dhe qeverisjes“, shënoi zoti Bardhi.
Ndërsa ministri Çuçi theksoi përmes Facebook-ut se për dy vite “punoi në këtë detyrë të vështirë me integritet dhe bashkë me skuadrën e Ministrisë së Brendshme kemi adresuar shumë sfida që lidhen me sigurinë, rendin publik, emigracionin, gjendjen civile dhe pushtetin vendor”.
Po të hënën, krahas propozimeve drejtuar Presidentit për ndryshimin e ministrit të Brendshëm, pritet një mbledhje e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, ku do të shqyrtohen procedurat e zëvendësimit të deputetit Rraja, i cili dorëzoi mandatin si ligjvënës, pasi djali dhe vëllezërit e tij kryesuan grupin e dhunuesve kundër dy shtetasve në Fushë Krujë.
Pritet që agjendës së kësaj mbledhje t’i shtohet edhe tema e ndryshimeve në qeveri si dhe zëvendësimi i mundshëm i zotit Balla në detyrën e kryetarit të grupit parlamentar.
Pas ish ministrave të brendshëm Saimir Tahiri, Fatmir Xhafaj dhe Aleksandër Lleshaj, ministri Çuçi bëhet ministri i katërt socialist, që shkarkohet nga kjo detyrë gjatë 10 viteve të qeverisjes socialiste. Pas ndryshimit të ministrit të Brendshëm zakonisht në Shqipëri ndodhin edhe ndryshime në radhët e drejtuesve të policisë.
Marrë nga VOA