Kronike
Shkodra gëlon nga krimi/ Dy tentativa vrasjeje brenda 48 orësh, tre persona në kërkim
Policia e Shkodrës ka shpallur në kërkim tre persona, të dyshuar për përfshirje në dy ngjarje të ndara kriminale, të cilat po hetohen si tentativa vrasjeje dhe vepra të tjera penale. Sipas autoriteteve, episodet janë regjistruar më 11 dhe 12 tetor 2026, në Shkodër, ndërsa vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e personave të dyshuar.
Në rastin e parë, specialistët për Hetimin e Krimeve kanë shpallur në kërkim 25-vjeçarin K. Fermosi, banues në Shkodër. Ai dyshohet se më 11 tetor ka hyrë në një fushë sportive, të njohur si kalçeto, ku i ka drejtuar armën e zjarrit 27-vjeçarit J. U., me qëllim vrasjen e tij. Për këtë rast, ai dyshohet për veprat penale “Vrasja me paramendim, e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Ngjarja e dytë është regjistruar më 12 tetor, në një lokal në qytetin e Shkodrës. Në lidhje me këtë episod, policia ka shpallur në kërkim 40-vjeçarin F. Gjelaj dhe 37-vjeçarin F. Saraçi, të dy banues në Shkodër.
Sipas hetimeve paraprake, dy personat dyshohet se kanë kanosur me armë zjarri dhe kanë goditur me grushte 38-vjeçarin E. Ç., duke i shkaktuar dëmtime në fytyrë. Për këtë ngjarje, ata dyshohen për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Kanosja” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, të kryera në bashkëpunim.
Policia bën me dije se po vijon puna për kapjen e tre personave të shpallur në kërkim. Materialet procedurale për të dyja rastet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme