Aktualitet
Shoqata që po tmerron ndërkombëtarët/ Llangozi: Avokati nuk është dekor i sallës së gjyqi
Një ndër betejat më të forta që do të bëj nëse do të zgjidhem në krye të Dhomës Vendore të Avokatisë Tiranë është lobimi i fortë për rikthimin e dinjitetit dhe autoritetit të avokatit në sistemin e drejtësisë. Nuk mund të pranohet më që avokati të trajtohet si figurë dytësore, ndërkohë që prokurori dhe gjyqtari funksionojnë si një trup i vetëm institucional, me afrimitet të vazhdueshëm, komunikim të përhershëm dhe ndikim të ndërsjellë që në shumë raste krijon perceptimin e një drejtësie të mbyllur ndaj mbrojtjes.
Nuk është normale që prokurorë dhe gjyqtarë të hyjnë bashkë në dhoma këshillimi, të ulen bashkë, të krijojnë raporte të përditshme afërsie dhe më pas qytetarit t’i kërkohet të besojë tek paanësia absolute e procesit. Nuk është normale që avokati, i vetmi që mbron qytetarin përballë pushtetit penal, të shihet me përçmim, të denigrohet apo të trajtohet si pengesë. Në momentin kur goditet figura e avokatit, goditet vetë e drejta e mbrojtjes dhe bashkë me të bie edhe besimi tek drejtësia.
Avokati nuk është dekor i sallës së gjyqit. Avokati është barriera e fundit kundër arbitraritetit, kundër abuzimit me pushtetin dhe kundër një sistemi që rrezikon të funksionojë me logjikë të mbyllur korporative. Kur prokurori dhe gjyqtari afrohen aq shumë sa krijohet ndjesia e njëanshmërisë, atëherë procesi humbet balancën dhe qytetari ndjehet i paragjykuar përpara se të flasë mbrojtja.
Koha ka ardhur që avokati të mos trajtohet më si figurë inferiore në sistem. Do të loboj fort për barazi reale procedurale, për respekt institucional ndaj avokatit dhe për një kulturë drejtësie ku mbrojtja të ketë të njëjtën peshë dhe autoritet si akuza. Sepse pa avokat të lirë dhe të fortë nuk ka proces të drejtë, por vetëm pushtet pa kontroll.
Arben Llangozi
facebook.com/reel/1288510960068470/?share_url=https%3A%2F%2Fwww.facebook.com%2Fshare%2Fv%2F1CwFogZCW6%2F&rdid=xppMO4LkL8507o43