Politike
Shpejtësi deri në 230 kilometra/ Rama nxjerr videon: Kamerat e trafikut së shpejti në funksion
Kryeministri Edi Rama ka reaguar përmes një postimi në Facebook lidhur me forcimin e masave për sigurinë rrugore, duke njoftuar se kamerat e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut Rrugor do të vihen së shpejti në funksion.
Rama bëri me dije se vetëm gjatë kësaj jave janë vendosur 1,100 masa administrative për drejtuesit që kanë tejkaluar normat e shpejtësisë, ndërsa në disa raste shpejtësia e mjeteve ka arritur deri në 230 kilometra në orë.
Sipas kryeministrit, aktivizimi i kamerave do të forcojë kontrollin dhe monitorimin në akset kryesore rrugore, me synim evidentimin e shkeljeve dhe rritjen e sigurisë në qarkullim.
Në reagimin e tij, Rama u ka bërë thirrje drejtuesve të automjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit, duke kërkuar që të mos përdorin telefonin gjatë drejtimit të mjetit, të mos drejtojnë automjetin nën efektin e alkoolit apo lëndëve narkotike dhe të mos tejkalojnë kufijtë e shpejtësisë.
“Siguria rrugore mbetet prioritet. Së shpejti do të vihen në funksion edhe kamerat e Qendrës Kombëtare të Monitorimit të Trafikut Rrugor, duke forcuar kontrollin në akset kryesore”, shkroi Rama.
Forcimi i kontrolleve vjen në një kohë kur autoritetet kanë evidentuar një numër të lartë shkeljesh në rrugët e vendit, ndërsa shpejtësia e lartë vijon të mbetet një prej faktorëve kryesorë të rrezikut për aksidentet rrugore.