Aktualitet
Shpërthen Dritan Goxhaj: DILNI NE PROTESTE
Analisti dhe ish luftëtari i UÇK Dritan Goxhaj deklaroi në emisionin “Jashtë Kontrollit” se shqiptarëve nuk ka nevojë t’u shpjegohet arsyeja e protestës, pasi sipas tij realiteti ekonomik dhe social i vendit flet vetë.
Goxhaj tha se mijëra shqiptarë kanë punuar për dekada të tëra, por ende nuk kanë arritur të sigurojnë një banesë, ndërsa shumë familje janë detyruar të shohin fëmijët e tyre të largohen nga vendi për mungesë perspektive. Sipas tij, sistemi politik i 36 viteve të fundit ka favorizuar një pakicë të lidhur me pushtetin dhe ka lënë në harresë qytetarët e zakonshëm.
“Shqiptarët sot kanë mbetur si qyqe në pleqëri, sepse fëmijët e tyre janë larguar. Jo sepse deshën, por sepse nuk gjetën dot të ardhme këtu”, u shpreh ai.
Goxhaj argumentoi se, pavarësisht ndryshimit të emrave dhe figurave politike ndër vite, sistemi ka mbetur i pandryshuar. Ai përmendi emra si Fatos Nano, Sali Berisha, Ilir Meta, Pandeli Majko, Lulzim Basha dhe Edi Rama, duke theksuar se “janë ndërruar fytyrat, por jo sistemi”.
Duke komentuar protestat, ai tha se mbështet çdo lëvizje qytetare kundër gjendjes aktuale, pavarësisht se kush mund ta ketë nisur apo organizuar atë në fillim. Sipas Goxhajt, në momentin që protesta fiton mbështetje masive, interesat e ngushta politike apo grupore humbasin rëndësinë.
“Masiviteti i protestës i bën zero qëllimet e kujtdo që mund ta ketë nisur atë. Kur qytetarët bashkohen rreth një kërkese të vetme, si dorëheqja e qeverisë, rëndësi merr vetëm vullneti i shumicës”, deklaroi ai.