Kronike
Shpërthim me tritol në një lokal në Vlorë, dëmtohet edhe një automjet! Nuk raportohen të lënduar
Një shpërthim i fuqishëm ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të sotëm, rreth orës 04:00 të mëngjesit të së enjtes në një lokal në Vlorë.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se ngjarja është shkaktuar nga një sasi lënde plasëse, e dyshuar si tritol.
Forca e shpërthimit ka shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale në ambientet e biznesit, ndërsa është dëmtuar edhe një automjet i parkuar pranë lokalit.
Menjëherë pas sinjalizimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë së Vlorës dhe grupi i ekspertizës kriminalistike, të cilët kanë nisur këqyrjen e zonës dhe grumbullimin e provave për të përcaktuar shkakun e shpërthimit dhe për të identifikuar autorin ose autorët.
Fatmirësisht, nga të dhënat e deritanishme nuk raportohen persona të lënduar.
Ndërkohë, hetimet vijojnë për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe sqarimin e rrethanave në të cilat u vendos lënda plasëse, nëse dyshimet paraprake konfirmohen.