Connect with us

Aktualitet

Shpërthimi me tritol ku humbi jetën 67 vjeçari/ Dyshohet atentat me tritol për gjakmarrje

Gazetari i Euronews, Teodor Gjerga, ka raportuar nga Shkodra detajet më të fundit nga shpërthimi në një pallat, ku një banor humbi jetën.

Viktima është identifikuar si Hysni Ymeri, 67 vjeç, banor në zonën e Xhabijeve, në hyrje të qytetit të Shkodrës.

Gazetari tha se bëhet fjalë për një shpërthim të telekomanduar, një atentat i mirëorganizuar. Fillimisht u raportua se shpërthimi kishte ndodhur brenda boksit të shpërndarjes së energjisë elektrike, por pas ekzaminimit dhe reagimit zyrtar të OSHEE-së, e cila deklaroi se nuk ka pasur shpërthim te matësit elektrikë, hetimet janë zhvendosur drejt një atentati të mundshëm.

Hysni Ymeri banonte në katin e katërt të pallatit dhe policia dyshon se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga vendosja e një lënde plasëse në katin e parë. “Në momentin e shpërthimit, lënda është aktivizuar dhe ka shkaktuar vdekjen e të moshuarit. Këto janë dyshimet aktuale”, thotë gazetari.

Boksi ku ndodheshin matësat e energjisë elektrike është shkatërruar plotësisht, dhe copa betoni janë shpërndarë disa metra larg. Banorët e pallatit raportojnë se Hysni Ymeri nuk ishte person problematik dhe është baba i dy fëmijëve. Hetuesit po shqyrtojnë nëse ka pasur ndonjë konflikt apo motiv tjetër për vendosjen e lëndës plasëse.

Po analizohen kamerat e sigurisë në pallat dhe në zonë, ndërsa disa persona janë shoqëruar për të dhënë dëshmi. Qëllimi është të identifikohet autori i shpërthimit dhe të merren të gjitha provat nga vendngjarja. Aktualisht, hetuesit dyshojnë se bëhet fjalë për një atentat të mirëorganizuar në qytetin e Shkodrës.

Advertisement