Rajon
Shpërthimi në fabrikën në Greqi, vdes edhe shqiptari 50-vjeçar
Zhvillime tragjike janë shënuar pas aksidentit të rëndë në punë në fabrikat e kompanisë “Motor Oil”, në Agioi Theodoroi të Greqisë. Pak para orës 13:00 të së dielës, ka ndërruar jetë edhe punëtori i dytë i plagosur rëndë, 50-vjeçari shqiptar Dorian Hysa.
Sipas raportimit të medias greke Thriassio.gr, Hysa ishte transportuar në Spitalin e Përgjithshëm “Thriasio” në Elefsinë, ku ishte shtruar në gjendje jashtëzakonisht kritike dhe i intubuar.
Ai kishte pësuar dëmtime të rënda në kokë. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor për ta mbajtur në jetë, 50-vjeçari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
Vdekja e tij e çon në dy numrin e viktimave nga aksidenti i rëndë në ambientet e fabrikës, duke e kthyer ngjarjen në një tragjedi të rëndë.
Rrethanat e plota të aksidentit dhe shkaqet që çuan në humbjen e dy jetëve pritet të zbardhen nga hetimet e autoriteteve greke.

Dorian Hysa