✦
Thinking ...
Connect with us

Rajon

Shpërthimi në rafinerinë e naftës, humb jetën 43-vjeçari shqiptar (EMRI)

Një shpërthim i fuqishëm në ambientet e rafinerisë “Motor Oil”, në Agioi Theodoroi të Greqisë, ka shkaktuar vdekjen e një punëtori dhe plagosjen e disa të tjerëve. Ngjarja ndodhi pak pas orës 11:00, gjatë punimeve të mirëmbajtjes parandaluese në rafineri.

Viktima është identifikuar si 43-vjeçari Robert Cakaj, i cili ndërroi jetë disa orë pas shpërthimit. Ndërkohë, 50-vjeçari Dorian Hysa vijon të trajtohet në gjendje kritike, i intubuar, pasi ka pësuar dëmtime të rënda në kokë.

Fillimisht, dy punëtorët e plagosur rëndë u transportuan në Spitalin e Korinthit, ku mbërriti edhe një person i tretë, i cili kishte probleme të lehta me frymëmarrjen. Dy të plagosurit në gjendje më të rëndë u transferuan më pas në spitalin Thriasio, ku njëri prej tyre humbi jetën.

Në një deklaratë zyrtare, kompania “Motor Oil” bëri të ditur se incidenti ndodhi gjatë mirëmbajtjes së gjerë parandaluese në rafineri dhe se dy punëtorë u plagosën rëndë.

“Punëtorët morën menjëherë ndihmën e parë të nevojshme dhe u transportuan në spital. Që nga fillimi, u aktivizuan të gjitha protokollet e kërkuara të sigurisë dhe reagimit ndaj emergjencave”, thuhet në deklaratën e kompanisë.

Ndërkohë, sipas informacioneve të publikuara, prokurori ka kërkuar arrestimin e kontraktorit. Rrethanat e shpërthimit dhe përgjegjësitë për ngjarjen pritet të sqarohen nga hetimet.

Advertisement