Connect with us

Politike

Shqipëria drejt BE-së/ Mbyllen 3 kapitujt e parë të negociatave

Shqipëria hedh sot një tjetër hap të rëndësishëm drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian.

Në Bruksel mbahet mbledhja e 9-të ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian nga ku do të zyrtarizohet mbyllja edhe e tre kapitujve të tjerë.

Bëhet fjalë për Kapitullin 25 – Shkenca dhe Kërkimi, Kapitullin 26 – Arsimi dhe Kultura dhe Kapitulli 30 – Marrëdhëniet me Jashtë.

Komisionerja për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Marta Kos, e cilësoi 14 korrikun si një “Super të Martë” për procesin e zgjerimit të BE-së, duke theksuar se, për herë të parë në më shumë se dy dekada, po zhvillohen katër konferenca ndërqeveritare të anëtarësimit brenda së njëjtës ditë.

Përmes një video-mesazhi të publikuar në rrjetin social X, Kos vlerësoi përparimin e vendeve kandidate, duke bërë të ditur se Shqipëria do të shënojë një tjetër hap të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit, me mbylljen e tre kapitujve të negociatave.

“Sot është një ‘Super e Martë’ për zgjerimin e BE-së. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, po mbajmë katër konferenca të anëtarësimit në të njëjtën ditë. Katër vendet që janë në krye të procesit- Ukraina, Moldavia, Shqipëria dhe Mali i Zi- po hedhin të gjitha hapa të rëndësishëm përpara. Shqipëria do të mbyllë kapitujt e saj të parë, ndërsa Mali i Zi ndodhet në fazën përfundimtare të negociatave formale, pasi ka mbyllur 18 nga 33 kapitujt. Tani, ky momentum i krijuar sot duhet të shndërrohet në rezultate konkrete në terren”, tha Komisionerja.

Ky zhvillim vlerësohet nga qeveria shqiptare si një vlerësim të qartë politik nga Shtetet Anëtare të Bashkimit Evropian dhe Komisioni Evropian për progresin e qëndrueshëm të Shqipërisë në reformat dhe transformimin evropian dhe në procesin e negociatave të anëtarësimit. Konfirmon besimin në kapacitetin e vendit për të përmbushur me sukses kriteret për anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Nëse do ti referohemi metodologjisë së Komisionit Europian  mbyllja e këtyre kapitujve nuk nënkupton përfundimin e procesit në këto fusha, por vlerësimin e Bashkimit Evropian se Shqipëria ka përmbushur standardet e kërkuara në këtë fazë të negociatave. Këto kapitujt mbeten nën monitorim deri në anëtarësimin e plotë të vendit në Bashkimin Evropian.

Nëse nuk bëhet përparim atëherë në skenarin më të keq për Shqipërinë ato do të rihapen. Kryeministri Edi Rama dhe delegacioni i Shqipërisë do të ulen përballë komisioneres Marta Kos dhe përfaqësuesve të presidencës irlandeze të BE e më pas do të zhvillohet një konferencë e përbashkët për mediat.

Konferenca e sotme Ndërqeveritare në Bruksel, shihet nga qeveria si një çuarje e  Shqipërinë tre hapa para drejt objektivit strategjik të anëtarësimit të plotë në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade.

Advertisement