Politike
Shqipëria drejt BE-së, Rama synon mbylljen e të paktën 10 kapitujve këtë vit
Kryeministri Edi Rama ndodhet në Luksemburg, ku Shqipëria pritet të mbyllë një tjetër kapitull në negociatat për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Kreu i qeverisë u shpreh optimist për ecurinë e procesit, duke deklaruar se synimi është që deri në fund të vitit të mbyllen sa më shumë kapituj negociues.
Rama tha se Shqipëria synon të përmbushë angazhimet e saj brenda afateve dhe se planet për vijimin e negociatave janë ambicioze.
“Jemi kthyer për të mbyllur një tjetër kapitull dhe për të rikonfirmuar që përparimi drejt objektivit tonë historik është i pandalshëm. Ndërkohë, sapo kam kryer disa takime inkurajuese se çfarë vjen më pas. Planet janë ambicioze, brenda këtij viti synojmë të mbyllim sa më shumë kapituj. Jam i bindur se, sa i takon anës sonë, do të jemi në çdo hap në përputhje me afatet”, u shpreh kryeministri.
I pyetur për numrin e kapitujve që pritet të mbyllen deri në fund të vitit, Rama nuk dha një shifër përfundimtare. Ai bëri të ditur se me kapitullin që pritet të mbyllet gjatë kësaj vizite, numri i përgjithshëm do të arrijë në katër, ndërsa objektivi për këtë vit është të paktën dyshifror.
“Sot do të mbyllim dhe një tjetër, që bën katër gjithsej. Ka mbetur dhe së paku dyfish që pritet të jetë shifra për këtë vit, por le të shohim”, deklaroi Rama.