Aktualitet
Shqipëria i bashkohet forcës ndërkombëtare të stabilizimit në Gaza
Shqipëria do t’i bashkohet Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza, një mision shumëkombësh i mbështetur nga administrata e presidentit amerikan Donald Trump, që synon të mbikëqyrë zbatimin e fazës së dytë të armëpushimit mes Izraelit dhe Hamasit.
Lajmi është bërë i ditur nga gazeta izraelite Jerusalem Post, e cila raporton se krahas Shqipërisë, pjesë e misionit do të jenë edhe Maroku dhe Greqia.
Sipas raportimit, ende nuk ka një afat të përcaktuar për dislokimin e forcave nga këto vende, ndërsa mbetet e paqartë edhe natyra e kontributit që secili shtet do të japë në terren.
Sipas Jeffers, krahas Shqipërisë, pjesëmarrje kanë premtuar edhe Indonezia, Maroku, Kazakistani dhe Kosova, ndërsa Egjipti dhe Jordania do të ndihmojnë në trajnimin e forcave policore palestineze.
Misioni pritet të nisë fillimisht në zonën e Rafahut dhe më pas të zgjerohet gradualisht në sektorë të tjerë të territorit palestinez.
Sipas Jerusalem Post, roli i ISF-së nuk parashikohet të jetë luftarak në fazën fillestare. Forca do të fokusohet kryesisht në mbikëqyrjen e linjave të armëpushimit, ruajtjen e stabilitetit dhe koordinimin e çështjeve të sigurisë në periudhën e tranzicionit.
Raporti thekson se vendet pjesëmarrëse nuk pritet të përfshihen drejtpërdrejt në operacione ushtarake kundër Hamasit, një çështje që ka shkaktuar debate të shumta mes partnerëve ndërkombëtarë dhe autoriteteve izraelite.
Deri më tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga institucionet shqiptare lidhur me raportimin dhe as detaje konkrete mbi numrin e trupave që Shqipëria mund të dërgojë në Gaza apo mandatin që do të kenë ato në terren.
Nëse konfirmohet, pjesëmarrja në ISF do të përbënte një nga angazhimet më të rëndësishme të Shqipërisë në një mision ndërkombëtar të sigurisë në Lindjen e Mesme, në një moment kur komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të ndërtojë mekanizma për administrimin e Gazës pas luftës.