Aktualitet
SHQIPËRIA NË BETEJË ME FLAKËT! 9 ZJARRE AKTIVE, 4 HELIKOPTERË NË AKSION
Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, ku janë raportuar 20 vatra zjarri, prej të cilave 9 vijojnë aktive, ndërsa një tjetër është nën monitorim.
Për përballimin e situatës janë angazhuar 235 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse, të mbështetura nga 140 efektivë të Forcave të Armatosura, tre helikopterë dhe dy avionë Air Tractor.
Vatrat më problematike janë përqendruar në disa qarqe, ndërsa forcat në terren po punojnë për izolimin e flakëve dhe mbrojtjen e zonave të banuara.
Gojan – Gjegjan, Pukë
Situata mbetet problematike për shkak të erës së fortë dhe terrenit të thyer malor. Forcat operacionale janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, ndërsa është kryer edhe evakuimi i banorëve nga zonat e rrezikuara.
Në operacion janë angazhuar rreth 40 efektivë të Forcave të Armatosura, me mbështetjen e tre helikopterëve.
Mal Milot, Kurbin
Vatra vijon të jetë aktive, por për momentin rreziku për banesat është eliminuar. Në terren po veprojnë forcat zjarrfikëse, efektivë të Forcave të Armatosura dhe strukturat bashkiake.
Për përballimin e situatës është kërkuar edhe përforcim me trupa dhe mjete shtesë të Forcave të Armatosura.
Dajt, Tiranë
Në zonën e Dajtit është regjistruar riaktivizim i një vatre zjarri, por aktualisht nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Në operacion janë angazhuar strukturat e MZSH-së, Agjencia e Zonave të Mbrojtura dhe Forcat e Armatosura, me mbështetjen e një helikopteri.
Dukat, Vlorë
Zjarri në zonën e Shatës, mbi Dukat, është zgjeruar gjatë natës në drejtim të malit.
Forcat vendore vijojnë ndërhyrjen në terren, të mbështetura nga rreth 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Aktualisht, banesat nuk janë në rrezik, ndërsa operacioni vijon për të frenuar përhapjen e flakëve.
Ballaxhiaj, Memaliaj
Në Ballaxhiaj situata paraqitet më e stabilizuar. Zjarri është nën kontroll dhe larg zonave të banuara, pas ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, Policisë së Shtetit dhe banorëve vullnetarë.
Për shkak të rrezikut të përhapjes së flakëve, disa banorë janë evakuuar nga zona.
Vatra të tjera aktive
Vatra zjarri vijojnë të raportohen edhe në Kalivaç, Shtuf, Gjorm të Sipërm dhe Hotolisht.
Ndërkohë, vatra në Lufaj të Mirditës është vënë nën kontroll dhe po monitorohet nga strukturat përgjegjëse për të parandaluar riaktivizimin e saj.
AKMC në gatishmëri
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e tjera të sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje të menjëhershme aty ku situata e kërkon.
Prioriteti i autoriteteve mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë, ndërsa kushtet atmosferike dhe terreni i vështirë vijojnë ta bëjnë menaxhimin e disa prej vatrave veçanërisht të vështirë.